Lideri i Opozitës Kroate Padi Ndaj Akuzave që Ishte Spiun

Karamarko, kryetari i partisë së qendrës së djathtë, Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, ngriti një padi për shpifje kundër ish-zyrtarit jugosllav Josip Manoliq të enjten.

Manoliq tha në një intervistë me revistën e përjavshme kroate “Nacional” në qershor se nëse presidenti i parë kroat Franjo Tudjman do të vinte në zbatim lustracionin, Karamarko do të më hiqte mua të parin, duke qenë se ai ishte “shok” i shërbimeve sekrete jugosllave të njohura si UDBA në vitet 1980.

 Manoliq pohoi se UDB-ja e rekrutoi Karamarkon pasi u zbulua se ai merrej me “disa krime të vogla”.

Avokati i Karamarkos Veljko Miljeviq tha të enjten se akuzat janë ngritur “rreth 15 ditë më parë”, por ishte shumë herët për të thënë se kur do të mbahen seancat e para dëgjimore.

“Gjykatat janë në sezonin e pushimeve dhe personalisht unë nuk do të nxitova në ngritjen e një padie, por Karamarko kërkoi t’i jepte fund spekulimeve se padia që ai njoftoi pas intervistës me revistën “Nacional” nuk do të ngrihej,” tha ai.

Manoliq, 95 vjeç, i cili ishte një bashkëpunëtor i ngushtë i ish-presidentit Franjo Tudjman dhe një figurë e rëndësishme në politikën kroate në fillim të viteve 1990, tha të enjten se ai priste që Karamarko ta padisë atë.

“Zgjodha atë padi si mënyrën më të mirë për të thënë të vërtetën. Kjo është arsyeja pse po e prisja dhe sot mora me gëzim lajmin se ai po më padit,” tha Manoliq.

Përveç punës në shërbimet sekrete dhe sistemin e burgjeve në kohën e Jugosllavisë, Manoliq ishte kryeministër i Kroacisë në vitet 1990-1991, shef i shërbimeve sekrete në vitin 1991 dhe kryetari i Dhomës së Lartë të parlamentit kroat në vitet 1993-1994.

Pas intervistës së Manoliqit, Karamarko tha se për të po shpifej “për motive politike dhe qëllime parazgjedhore”.

Karamarko ka pohuar se ish-agjentë të shërbimeve sekrete jugosllave do të konfirmonin se ai nuk ishte një informator, por viktimë e një prej operacioneve të tyre të fshehta.

Në një zhvillim të veçantë, Partia Kroate e të Drejtave, parti e krahut të djathtë, HSP, njoftoi të enjten se ka ngritur një padi penale kundër gazetës së pakicës serbe “Novosti” dhe botuesit të saj, OJQ-së Këshillit Kombëtar Serb me bazë në Zagreb, SNV.

HSP-ja pretendoi se e ka bërë këtë për shkak “të talljes së himnit kombëtar kroat” nga ana e gazetës në numrin e saj të fundit të publikuar të premten e kaluar. Ajo tha gjithashtu se “Novosti” dhe SNV-ja “vazhdimisht ndjekin politikën e provokimit të popullit kroat duke shtrembëruar faktet historike dhe nënvlerësuar popullin kroat”.

Në faqen e pasme të numrit të së premtes së kaluar, “Novosti” botoi një version satirik të himnit kombëtar kroat, duke tallur dy obusë [armë artilerie] gjermanë që u shfaqën në një paradë ushtarake në fillim të këtij muaji për të festuar 20 vjetorin e Operacionit “Stuhia” në Zagreb kundër rebelëve serbë.