Sali Mekaj dhe Vlora Gorani Presin Masën e Sigurisë

Mekaj ishte ndaluar më 20 korrik për shkak të dyshimit të bazuar se kishte kryer veprat penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “ushtrimit të ndikimit”.

Së bashku me Mekajn është arrestuar edhe Vlora Gorani e cila dyshohet se ka kryer veprën penale të dhënies së ryshfetit.

Avokati i Salih Mekës, Destan Rukiqi për KALLXO.com se sapo përfundoi seanca, prokurorja ka kërkuar përsëri masën e paraburgimit, çka për avokatin është absurde.

“Ajo ka kërkuar me këmbëngulje masën e paraburgimit, pasi që tani për të arsyetuar masën pretendon se i mbrojturi im ka kryer një vepër tjetër penale duke zgjeruar kështu hetimet”, tha ai.

Sipas Rukiqit, prokurorja pretendon se i mbrojturi i tij ka kryer një ndërmjetësim për një të afërm, duke e paraqitur këtë si një vepër penale, por sipas avokatit, kjo ka qenë një çështje krejtësisht familjare dhe një raport familjar.

“Unë pres nga gjykata që të zbusë masën e arrestit shtëpiak ose të mos caktojë fare masës pasi që prokuroria nuk i ka mbështetur pretendimet e saj”.

I kontaktuar nga Kallxo.com, avokati Naim Rudari, mbrojtës i të pandehurës Vlora Gorani, pas përfundimit te seancës lidhur me rivendosjen e masës ndaj të mbrojturës së tij shprehu pakënaqësi ndaj kërkesës së prokurorisë për masën e sigurisë paraburgim.

“Prokurorja edhe më tej mbetet pranë kërkesës që ndaj dy të pandehurve të caktohet masa e paraburgimit, mirëpo unë si mbrojtës i të pandehurës Vlora Gorani kam kërkuar që e mbrojtura ime të lirohet nga çfarëdo mase, ose pasi që veç ka filluar procedura ndaj saj, të caktohet masa e lajmërimit në stacionin policor”, tha avokat Rudari.

Lidhur me këtë se a do të ndryshohet masa, apo do të mbetet e njëjta, vendimi pritet të merret nesër.

Gjykata Themelore në Prishtinë me 23 korrik ia ka caktuar masën e arrestit shtëpiak Kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj dhe te pandehurës tjetër Vlora Goranit.

Të pakënaqur me këtë masë, ankesë kundër këtij vendimi kishin bërë si prokurorja po ashtu edhe avokatët mbrojtës Destan Rukiqi dhe Naim Rudari.

Kolegji penal i Gjykatës së Apelit në përbërje prej gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës, të deleguar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës si gjyqtarë të Gjykatës së Apelit, me aktvendimin e datës 29 korrik 2015 ka vendos që çështja të kthehet në rivendosje dhe ndaj të pandehurve Salih Mekaj e Vlora Gorani është vazhduar masa e arrestit shtëpiak deri në rivendosje.