Digjet Shtëpia e Djalit të Vëllait të Adem Grabovcit në Bogë

Shtëpia gjendet në Bogë të Komunës së Pejës ndërsa akoma nuk dihen shkaqet e këtij incidenti.

Këtë e ka konfirmuar për Kallxo.com edhe vetë Adem Grabovci.

“Dje në orët e vona ka marrë flakën shtëpia e djalit të vëllait që gjendet në Bogë. Nuk dihen shkaqet e këtij incidenti, policia është në vendin e ngjarjes”, tha Grabovci.

I pyetur për dëmet e shkaktuara nga ky incident, Grabovci tha se “akoma nuk e dimë sa janë dëmet, nipi gjendet atje, tash do të shohim”, deklaroi Grabovci.

Zëvendëskomandanti i zjarrfikësve në Pejë, Kapllan Nikçi, e ka konfirmuar për Kallxo.com se në orët e vona të ditës së djeshme kanë intervenuar në Rugovë, në ç’ rast është djegur kulmi i një shtëpie dhe një pjesë e dritarëve. Ai tha se zjarrfikësit kanë arritur ta lokalizojnë zjarrin.

Ai tha se shtëpia ka qenë e pabanueshme në ato çaste. Ai tha se dyshimet janë që dikush ia ka vënë flakën.

Teki Syla – Zëvendëskomandant i policisë në Pejë tha për Kallxo.com se njësitet policore janë ende në vendin e ngjarjes duke u marrë me rastin, por ai nuk dha detaje tjera.