Sëmundja nuk e Lejon Sheshelin të Kthehet në Paraburgim

Ekipi mjekësor i Sheshelit tha për BIRN-in se lideri i Partisë Radikale Serbe, i cili u lirua përkohësisht vitin e kaluar për shkak se është i sëmurë me kancer, është gati t’i nënshtrohet raundit të tretë të kimioterapisë në Beograd dhe nuk mund të dërgohet mbrapsht në Gjykatën e Hagës për shkak të shëndetit të tij të dobët .

Shesheli “pothuajse vdiq para shtatë ditësh” dhe rikthimi i tij në Hagë do të ishte “fundi i jetës së tij, pasi ai nuk mund të kurohet atje,” tha për BIRN-in Milovan Bojiq, një anëtar i ekipit mjekësor.

“Ai tani ndihet më mirë, por unë pres episode edhe më të vështira (kur të fillojë raundi tjetër i kimioterapisë),” shtoi Bojiq.

Dhoma e Apelit e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë i kërkoi Serbisë muajin e kaluar të rikthente Sheshelin në paraburgim, duke u shprehur se ai kishte shkelur kushtet e lirimit të tij të përkohshëm pasi kishte thënë disa herë se nuk do të rikthehej në gjykatë për vendimin përfundimtar të gjykimit të tij.

Që prej kthimit të tij në Beograd në nëntor, ai ka udhëhequr protesta nacionaliste dhe ka bërë një sërë deklaratash të ashpra që kanë zemëruar viktimat e luftës.

Ndërsa Shesheli refuzon të dorëzohet vullnetarisht, nga Gjykata e Hagës duhet të nxirret një tjetër urdhërarrest në mënyrë që ai të ndalohet nga autoritetet serbe dhe të kthehet në paraburgim kundër dëshirës së tij.

Përfaqësuesi ligjor i qeverisë serbe në çështjen e Sheshelit, Sasa Obradoviq tha se Beogradi e ka pyetur Dhomën e Apelit në gjykatën e mbështetur nga OKB-ja nëse do ta dërgojë urdhërarrestin, por nuk ka marrë ende asnjë përgjigje.

“Po presim për gjërat që duhet të na dërgojë Gjykata e Hagës. Po presim atë urdhërarresti,” tha Obradoviq.

Ndërkohë, Gjykata e Hagës tha për BIRN-in se vendimi i saj për revokimin e lirimit të përkohshëm të Sheshelit nuk është bërë ende publik, kështu që ajo s’mund të bënte asnjë koment në lidhje me zhvillimet.

Shesheli, i cili po gjykohet për krime lufte në Bosnjë, Kroaci dhe Serbi, ka qenë në burg që prej vitit 2003, kur u dorëzua vullnetarisht.

Vendimi për çështjen e tij ishte programuar të merrej në tetor të vitit të kaluar, por u shty pasi njëri nga gjykatësit u hoq, sepse dyshohej për njëanshmëri.