Dy Muaj Burg dhe 200 Euro Gjobë për Naser Bajraktarin

Prokuroria Themelore e Prishtinës akuzonte Bajraktarin se në vitin 2013 ka përfituar një shumë prej 10 mijë eurosh  nga angazhimi si ekspert në një projekt të Shoqatës së Ujërave dhe Kanalizimit (ShUKOS) të mbështetur financiarisht nga organizata gjermane për kooperim ndërkombëtar “GIZ”, por nuk e ka deklaruar atë në Agjencinë Kundër Korrupsion.

Në seancën e kaluar të zhvilluar po gjatë qershorit, Bajraktari që udhëhiqte Drejtorinë e Ujërave të Ministrisë së Mjedisit nuk e pranoi akuzën me të cilën ngarkohej dhe u deklarua i pafajshëm.

Por Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Bajraktarin me dy muaj burg dhe 200 euro gjobë.

KALLXO.com-i shkroi edhe për seancën e kaluar të këtij gjykimi.

Edhe Gazeta “Jeta në Kosovë” në qershor të vitit të kaluar ia kushtoi një artikull të sajin mosdeklarim it të 10 mijë eurove nga drejtori i Drejtorisë së Ujërave.

Bajraktari për shkak të këtij mosdeklarimi u suspendua nga puna në maj të këtij viti.

Në gjykatë Bajraktari mosdeklarimin e 10 mijë eurove e arsyetoi me fjalët se nuk kishte kontratë me Shoqatën e Ujërave dhe Kanalizimit (ShUKOS), duke pretenduar se këto para u derdhën në xhirollogarinë e tij, por u dedikoheshin më shumë personave që morën pjesë në projektin e GIZ-it.