Zyra e Kryeministrit Shmang Seancën Gjyqësore në Padinë e BIRN-it

Zyra e Kryeministrit nuk ka dërguar asnjë përfaqësues për këtë seancë dhe nuk e ka arsyetuar fare mungesën, por pavarësisht kësaj, gjykatësi Hajriz Hoti vendosi që shqyrtimi të vazhdojë

Përfaqësuesi ligjor i BIRN-it, Korab Sejdiu nga “Sejdiu & Qerkini” ka bërë shtjellimin e bazës procedurale dhe meritore të padisë.

“Kërkesa e paditëses nuk është asgjë më shumë e as më pak se kërkesë për respektim të të drejtave që përcakton Konventa Evropiane për Qasje në Dokumente Publike”, tha Sejdiu.

BIRN-i e kishte paditur Zyrën e Kryeministrit të Kosovës për moslejimin e qasjes në shpenzimet e bëra të kësaj zyreje në periudhën 15 shkurt 2011 – 31 gusht 2012.

Kjo seancë ishte parashikuar të mbahej në 19 mars 2015, por greva e gjykatësve bëri që ajo – sikundër procese të tjera të asaj periudhe – të shtyhet në një afat më të vonë.

BIRN-i dorëzoi në vitin 2012, padinë për konflikt administrativ kundër Zyrës së Kryeministrit në Gjykatën Supreme, në kuadër të fushatës “Drejtësia dhe Qytetarët”.

Padia kishte të bënte me moslejimin e qasjes në shpenzimet e bëra nga kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrat në kabinetin e tij.

BIRN-i duke konsideruar se shpenzimet e faturuara të bëra nga kabineti i Zyrës së Kryeministrit gjatë udhëtimeve të tyre zyrtare janë fonde publike dhe si të tilla të hapura për publikun, pati shteruar të gjitha mundësitë e kërkesave për qasje në këto dokumente, para padisë në gjykatë.

I vetmi zëvendëskryeministër që kishte ofruar qasje në dokumentacionin e kërkuar ishte Sllobodan Petroviq. Të tjerët heshtën.

Në vitin 2013, me ndryshimin e Ligjit për Gjykatat lënda ka kaluar në Gjykatën Themelore, në Departamentin për Konflikte Administrative, dhe së fundmi i ka ardhur radha për shqyrtim.

E njëjta kërkesë për qasje në shpenzime i është dërguar nga BIRN-i edhe Zyrës së Kryeministrit aktual.