Naser Bajraktari u Suspendua për 10 Mijë Eurot e Dyshimta

Ministria e Mjedisit suspendoi nga detyra, Naser Bajraktarin, drejtorin e Departamentit të Ujërave, një prej zyrtarëve më të lartë në këtë dikaster qeveritar.

Arsyeja e suspendimit të tij lidhet me mosdeklarimin e 10 mijë eurove në Agjencinë Kundër Korrupsion kur më 2014 dorëzoi shënimet në deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë.

Gazeta Jeta në Kosovë raportoi më 30 qershor të vitit 2014 se Bajraktari nuk kishte deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion dy pagesa në vlerë totale prej mbi 10 mijë eurosh të përfituara nga angazhimi si ekspert në një projekt të mbështetur nga organizata gjermane “GIZ”. 

Ai ishte angazhuar si ekspert në një projekt të Shoqatës së Ujërave dhe Kanalizimit që u mbështet financiarisht nga kjo organizatë gjermane. 

Pagesat ishin kryer më 29 korrik të vitit të kaluar. Një në vlerë prej 8 mijë eurove, ndërsa tjetra në vlerë prej 2 mijë e 400 eurosh. 

Suspendimin e Bajraktarit e konfirmoi Zyra për Informim e Ministrisë së Mjedisit.

Fadil Maxhuni, zyrtar informimi, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se suspendimi i Bajraktarit ka të bëjë me deklarimin e pasurisë. 

Ndaj Bajraktarit ka aktakuzë të ngritur për deklarim jo të saktë të pasurisë. Prokuroria Themelore e Prishtinës ngriti aktakuzë pas deponimit të kallëzimit penal nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Merita Lumezi, prokurorja që udhëhoqi hetimet ndaj Bajraktarit, deklaroi se pret nga gjyqi të vendosë lidhur me aktakuzën e ngritur nga ajo.

“Unë mundem me ua konfirmuar se kam ngritur aktakuzë ndaj personit në fjalë dhe tani rasti është në gjykatë, më shumë informata nuk mund të ju jap”, ka thënë ajo. 

Ndërsa gjyqtari Nexhmedin Sejdiu konfirmoi se më 14 maj planifikohet të mbahet seanca gjyqësore ndaj Bajraktarit. 

Dy seanca të parapara më herët nuk ishin mbajtur. Herën e parë i akuzuari nuk ishte i pranishëm, ndërsa herën e dytë seanca e paraparë nuk ishte mbajtur për shkak të grevës së gjyqtarëve. 

Ndërkohë Bajraktari thotë se vendimi i Ministrisë për ta pezulluar përkohësisht me pagesë nuk është i drejtë. 

 “Sot i jam drejtuar MMPH-së në mënyrë zyrtare ‘Kërkesë për Anulim të Vendimit për pezullim nga detyra me nr. 75/ 15 të dt. 05.05.2015”, tha Bajraktari. 

“Baza juridike e përdorur në vendim, nuk jep arsyeshmëri dhe të drejtë për një veprim të tillë. Besoj se kërkesa ime për anulim vendimi do pranohet si e bazuar dhe të kthehem në punë para se unë të shfrytëzoj të drejtat e mia ligjore”, shtoi Bajraktari.

Ai thotë se rasti që po zhvillohet ndaj tij nuk ka të bëjë me punën e tij në Ministri të Mjedisit. 

“Forma e deklarimit të pasurisë për vitin 2013 përmes formularëve nga AKK-ja, nuk ka qenë e kompletuar ashtu si duhet (sipas AKK-së) dhe rasti është në procedurë. Po ashtu, rasti nuk ka të bëjë me punën në MMPH”, thotë Bajraktari.