Përplasje Ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe OSBE-së

KALLXO.com ka siguruar një letër në të cilën sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Besnik Osmani, dërguar shefit të këtij misioni, Ambasadorit Jean- Claude Schlumberger, në të cilën ia ka shfaqur pakënaqësinë e Ministrisë për mënyrën se si ishte formatuar kjo konferencë.

Në këtë letër, Osmani shpreh keqardhje që delegacioni i Kosovës nuk mund të marrë pjesë në konferencën që kishte të bënte me integritetin publik në nivelin lokal.

“Qeveria e Kosovës refuzon të marrë pjesë në ndonjë konferencë ku përfaqësimi i Kosovës nuk është në harmoni me ‘aranzhimet për përfaqësim rajonal dhe bashkëpunim’ të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letrën e sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së.

Osmani thotë se bazuar në Nenin 2 të marrëveshjes, “Kosovo” është emërtimi i vetëm që duhet të përdoret brenda kornizës së bashkëpunimit rajonal, ndërsa Neni 3 e shpjegon përdorimin e fusnotës “pa paragjykuar qëndrimin ndaj statusit (të Kosovës), dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.

Por, Misioni i OSBE-së në Kosovë duket se i është shmangur asaj për të cilën ish kryeministrat e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, kishin nënshkruar në Bruksel në prill të vitit 2013, në prani të ish Përfaqësueses të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Catherine Ashton.

Në faqen e dytë të agjendës së konferencës, sipas Besnik Osmanit, në fusnotën ku përmendet Kosova thuhet se “të gjitha referencat sa i përket territorit, institucionit ose popullatës në tekst duhet të kuptohen në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Në këtë drejtim, përderisa OSBE nuk është e gatshme ta harmonizojë agjendën në përputhje të plotë me marrëveshjen e lartpërmendur, është e papranueshme për delegacionin e Kosovës që të marrë pjesë në këtë konferencë rajonale”, shkruan Besnik Osmani në letrën për shefin e Misionit të OSBE-së.

Në një prononcim për KALLXO.com, Osmani ka konfirmuar anulimin e pjesëmarrjes së delegacionit kosovar në të cilin përfshiheshin edhe zyrtarë të lartë të nivelit lokal, agjencive të pavarura dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

“Ky ka qenë një dështim nga ana e organizatorëve të konferencës”, tha Osmani.

Por Misioni i OSBE-së e sheh ndryshe nga Qeveria e Kosovës çështjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në letrën të cilën ambasadori Schlumberger ia ka kthyer Besnik Osmanit, ai e ka distancuar misionin që drejton nga kjo marrëveshje.

“Aranzhimet të cilat i keni përmendur për ‘përfaqësim dhe bashkëpunim rajonal të marrëveshjes së Brukselit’ nuk aplikohen nga OSBE”, thuhet në letrën që gjatë ditës Schlumberger ia ka dërguar sekretarit të përgjithshëm të MAPL-së.

Schlumberger është shef i misionit të organizatës kryesinë e radhës të së cilës për këtë vit e mban Serbia, ndërsa organizata gjithmonë ka mbajtur qëndrim “neutral ndaj statusit” të Kosovës.

“Ne natyrisht se e respektojmë plotësisht qëndrimin tuaj dhe kjo është arsyeja pse ne ua kemi komunikuar më parë të gjitha aranzhimet për pjesëmarrjen e institucioneve të Kosovës në (këtë) ngjarje.

Schlumberger thotë se në konferencën e Budvës, fusnota e OSBE-së  është përdorur “në harmoni me praktikën e vendosur të qëndrimit neutral ndaj statusit të Kosovës”.

Edhe Kryetarja e komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila, e cila ka qenë e ftuar për të marrë pjesë në këtë konferencë, konfirmoi për KALLXO.com se e ka refuzuar pjesëmarrjen.

“Pjesëmarrjen në konferencën e organizuar nga OSBE e kam anuluar pas marrjes së informatës se referencat për Kosovën, institucionet e saj dhe popullin e Kosovës do të jenë në përputhshmëri me Rezolutën 1244 të UNMIK-ut”, tha Kusari- Lila.

Ajo u shpreh se përshkrimi që i është bërë Kosovës nga OSBE paraqet “kthim prapa në shumë procese që kanë ndodhur në Kosovë.

“Sikur fillimisht të bëhej e qartë kjo gjë, as nuk do e konfirmonim pjesëmarrjen në radhë të parë”, tha Kusari- Lila.