Menduh Thaçi Kundër Gjykatës Speciale

Lideri opozitar shqiptar nga Tetova tha se nuk duhet të njolloset ajo që e quajti luftë e pastër e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Të gjithë së bashku do të luftojmë që lufta e pastër e UÇK-së, që e solli Kosovën në këtë situatë të pavarësisë, lirisë dhe demokracisë , në asnjë mënyrë të mos marrë një pikë të zezë”, tha sot Thaçi në Prishtinë.

Ai këto komente i ka bërë pas një takimi që zhvilluar me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Thaçi e Haradinaj thanë të kenë biseduar për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë, si dhe përkrahjen që do kenë ata.

“Ne asnjëherë nuk kemi harruar me u interesu për temat shqiptarë në Maqedoni, për temat për shqiptarët kudo që janë”, tha Haradinaj.

Ndërsa Thaçi tha se dhe shqiptarët e Maqedonisë janë të interesuar që të kenë një bashkëpunim realë  dhe të jenë të njoftuar me zhvillimet në Kosovë.

Thaçi në takim, foli edhe për kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë.

“Kërkesat e shqiptarëve në Maqedoni janë shumë të thjeshta dhe janë dy, vendimmarrja në institucionet e shtetit të jetë në konsensus të plotë, që do të thotë parlamenti dy dhomësh, Dhoma e Qytetarëve dhe Dhoma e Kombeve”, tha Thaçi.

Në këtë takim të dy liderët e partive të dy vendeve, thanë se do t’i vazhdojnë takimet dhe bashkëpunimet.