Gazeta Jeta në Kosovë Shpërblehet për Storjen më të Mirë për Kulturë

Gazetarja e Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN), Kaltrina Rexhepi, është shpërblyer nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) me çmimin “Storja më e Mirë për Kulturë”.

Çmimin për këtë kategori ajo e fitoi bashkë me gazetarin e “Kohës Ditore”, Shaban Maxharraj.

Kaltrina Rexhepi u shpërblye në ceremoninë e ndarjes së çmimeve për vitin 2014 të organizuar nga AGK.

Ajo është vlerësuar nga juria në përbërje prej katër anëtarëve: Besim Abazi, Violeta Oroshi, Hazir Reka dhe Naile Krasniqi, për storjen “Biznesi i Parregullt në Kurriz të Trashëgimisë” në të cilin bëhet fjalë për operimin e një biznesi privat në hapësirën e Urës së Gurit në Vushtrri.

“Ky çmim është një motivim shtesë për të vazhduar raportimin në tema të tilla që i shërbejnë mbrojtjes së trashëgimisë kulturore”, tha Kaltrina Rexhepi pasi e mori këtë çmim.

Në këtë ceremoni, çmimin “Gazetari i Vitit 2014”,  e ka fituar gazetari Vehbi Kajtazi nga gazeta “Koha Ditore”, ndërsa çmimin për reportazhin më të mirë e ka fituar gazetarja e Radio Kosovës, Serbeze Haxhiaj.

Për storien më të mirë në ekonomi/sociale është shpërblyer gazetari i “Zërit”, Liridon Llapashtica, ndërsa për çmimin, storia më e mirë në sport, janë shpërblyer gazetarët e gazetës “Zëri”, Valon Konushevci dhe Moral Pozhegu.

Çmimin për fotografi/kamerë e ka fituar kameramani i RTK-së, Mumin Jashari.