Trepça i Shmanget Privatizimit

Më 14 janar të këtij viti, Qeveria e Kosovës, mori vendim për t’ia marrë kompleksin “Trepça Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe për ta vënë atë nën pronësi të veten.

Një ndërrim i tillë, sipas zyrtarëve qeveritarë, pritet të hap një epokë të re për zhvillimin e këtij kompleksi.

Për të pasur mundësi që të behët ndërrimi i pronësisë se “Trepçës , Qeveria e Kosovës të mërkurën ka miratuar projekt-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike.

Kurse, kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që projekt ligji të shqyrtohet ditën e hënë, me procedurë të përshpejtuar në Kuvend, duke shmangur në këtë mënyrë Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

“Një premtim u përmbush sot, Trepça nuk do të jetë më ndërmarrje shoqërore, nuk do të privatizohet apo likuidohet”, tha ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Ai tha se Trepça do te jete ndërmarrje shtetërore, e rëndësisë së veçantë.

“Minatorët e Trepçës janë te sigurt se Trepça nuk do të shkojë në privatizim”, tha Hoti duke siguruar se Qeveria do te gjejë mënyrën për ta ndihmuar Trepçën për të rritur kapacitetet, në të mirë të shtetit të Kosovës, buxhetit te shtetit dhe minatorëve dhe familjeve të tyre.

Për këtë vendim kundërshtime nuk do të ketë as nga ana e Agjencisë Kosovarë të Privatizimit (AKP).

Mundësia e bartjes së përgjegjësive për administrimin e ndërmarrjes “Trepça” nga AKP në një institucion tjetër parashihet edhe me Ligjin e AKP-së.

Zëdhënësi i AKP-së, Ylli Kaloshi, tha për KALLXO.com se çdo vendim që e nxjerr Kuvendi i Kosovës, që ka të bëjë me ndërmarrjet shoqërore, është i obligueshëm për zbatim nga ana e agjencisë.

Ndërsa Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri sot do ta shqyrtojë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërmarrjet Publike para se dokumenti të hyjë në rend të ditës në një nga seancat e ardhshme të Kuvendit.