Semaforët në Pejë Nuk Funksionojnë Që Dy Javë

Dren Selimi qytetar nga Peja është ankuar në KALLXO.com për bllokadë trafiku në atë pjesë të qytetit ku lëvizja e makinave rregullohej nga semaforët.

Ai thotë se ky problem nuk është i ri. Sipas tij ka disa javë që është në këtë gjendje qendra e Pejës.

“Problemin e kom vërejtë qysh para Vitit te Ri, diku rreth datës 27 dhjetor 2014, kur për fundjavë kam ardhë në Peje, kam dal me veturë edhe e kom vërejt që semaforët nuk po punojnë, edhe te ajo pikë ka qenë një bllokadë e veturave” tregon Selimi. 

Ai shpjegon se edhe kur ishin funksionalë semaforët në Pejë funksiononin me probleme, por tash bën me dije se vështirësitë e qarkullimit janë më të mëdha.

“Edhe në kohën kur kanë funksionuar ata, ka pase probleme, paramendoni edhe tani kur nuk ka semafora,” shprehet ai.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Pejës Ukë Selimaj thotë për KALLXO.com se ende nuk kanë operator për rregullimin e sinjalistikës.

“Nuk kemi operator sepse është fillimi i vitit. Me fillimin e punëve do të shpallet tenderi për mirëmbajtjen e sinjalistikës në gjithë qytetin,” premton ai.

Ndërsa thotë se Komuna ka dërguar një ekip për ta rregulluar problemin.

Drejtori Selimaj për dallim nga Dren Selimi thotë se edhe pse nuk kanë punuar këta semaforë, nuk kanë krijuar problem të madh për qytetarët.

Megjithatë tregon se komuna ka dërguar një ekip për rregullimin e semaforëve.

Zëdhënësi i Policisë së Pejës Xhevat Ibraj thotë se nuk ka pasur ndonjë raport për aksidente komunikacioni në këtë anë të qytetit.

“Semaforët në Pejë janë prishur disa herë, një tjetër prishje që ka zgjatur ka qenë ajo në maj të vitit 2012 edhe atëherë qytetarët ishin ankuar për prishjen e tyre, por edhe qeverisja e atëhershme e Ali Berishës kishte vonuar për rregullimin e tyre me arsyetimin se pajisjet për sanimin e semaforëve vijnë nga Prishtina dhe u duhet kohë”, shpjegon Ibraj.