Jahjaga e Veseli Takohen për Avancimin e Punës së Institucioneve

Presidentja Atifete Jahjaga dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli u takuan sot për të diskutuar mes tjerash rreth intensifikimit të luftës kundër terrorizmit dhe miratimit të ligjeve që lidhen me këtë luftë.

Jahjaga i kërkoi Veselit kompensimin e kohës së humbur për shkak të mosfunksionimit të Kuvendit nga ngërçi gjashtëmuajsh.

“Presidentja Jahjaga tha se Kuvendi i Kosovës duhet të punojë në kompensimin e kohës së humbur gjatë periudhës gjashtëmujore të vitit të kaluar dhe të vendosë një sistem të mirëfilltë të demokracisë parlamentare”, thuhet në komunikatën e Departamentit të Informacionit dhe Komunikimit me Publikun në Presidencën e Kosovës.

Por Kuvendi i Kosovës sipas rregullores së funksionimit të tij ndodhet në pushim dhe nuk pritet të fillojë punën më së paku në dy javët e para të janarit.

Sipas komunikatës Jahjaga e Veseli diskutuan për përshpejtimin e procesimit të projektligjit që ndërlidhet me pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në konflikte të armatosura jashtë vendit, me qëllim që të intensifikohet lufta kundër terrorizmit.

Projektligji për ndalimin dhe bashkimin në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit u miratua nga Qeveria më 19 dhjetor, një javë pas mbledhjes ssë parë të ekzekutivit.

Jahjaga e Veseli u pajtuan që të çojnë përpara procedurat edhe për Projektligjin për mbikëqyrjen elektronike të personave të cilëve u kufizohet lëvizja me vendim të gjykatës ose të panelit për lirim me kusht dhe Projektligjin për përgjimin e komunikimeve elektronike.

Këto dy projektligje lidhen me procesin e integrimeve evropiane, me theks të posaçëm në liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Jahjaga kërkoi nga Veseli edhe miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

Ky ligj ka dalë si rekomandim nga mbledhjet e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, të cilin e udhëheqë presidentja.

Veseli, sipas komunikatës, e njohu të parën e shtetit me punën e deritashme të Kuvendit dhe planin për miratimin e ligjeve që prekin fushat e sigurisë kombëtare, të sundimit të ligjit dhe të integrimeve evropiane.

Veseli gjithashtu takimin ndërinstitucional e vlerësoi praktikë të mirë për proceset demokratike të vendit.