Suhareka me Fotografinë e Ibrahim Rugovës në Sheshin e Qytetit

Komuna e Suharekës, sot më 23 dhjetor, pikërisht përvjetorin e 25-të të themelimit të LDK-së, ka përuruar një fotografi të ish presidentit Ibrahim Rugova në qendër të qytetit.

Një fotografi e përmasave të mëdha e ish presidentit Ibrahim Rugova është vendosur sot, në një objekt të banesave kolektive, ku tani e tutje do të njihet si sheshi “Ibrahim Rugova”.

Kjo fotografi është sponsorizuar nga drejtoria e Kulturës e Komunës së Suharekës.

Nënkryetari i komunës Rexhep Kuqi, tha se ky është një kontribut modest për presidentin Ibrahim Rugova.

“Fotografia të cilin do ta zbulojmë pas pak çastesh është një kontribut modest i yni, për të pasur gjithmonë në ndërdijen ton qytetare se ai ishte dhe do të mbetet përherë ne piedestalin e themeleve të pavarësisë së shteti tonë”, tha Kuqi.

LDK-ja është themeluar me 23 dhjetor 1989 dhe është partia e parë politike në Kosovë. Ibrahim Rugova ka qenë kryetari i parë dhe i vetëm i saj që nga themelimi deri në vdekjen e tij në janar të vitit 2006.