Skandaloze: Ja Për Çka Akuzohet Nexhat Çoçaj në Aktakuzën e Re

Prandaj Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prizrenit ka ngritur aktakuzë të re ndaj drejtorit të Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nexhat Çoçaj dhe dy arsimtarëve të po kësaj komune, Bekim Thaçi dhe Bedri Çejku.

KALLXO.com posedon një kopje të aktakuzës në të cilën Çoçaj ngarkohet me 5 pika, që të gjitha për keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar.

Ai dyshohet se gjatë pesë viteve të manifestimit të javës “Remzi Ademaj” keqpërdori 61 mijë e 303 euro.

Sipas pikës 1 të aktakuzës, Nexhat Çoçaj, gjatë periudhës kohore maj- qershor të vitit 2008 në Prizren, si person zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të fitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, në atë mënyrë që si kryetar i këshillit organizativ “Manifestimi i javës Remzi Ademaj” në xhirollogarinë e tij bankare, alokohet shuma 12 mijë e 803 euro nga Komuna e Prizrenit.

I akuzuari Çoçaj, përmes kësaj shume të mjeteve, pa një procedurë të tenderimit ka paguar fatura furnitorëve përmes transferit, ka bërë blerje me kartelë nëpër qendra tregtare, ka tërhequr mjete në shuma të ndryshme nga bankomati, ka bërë poashtu tërheqje të parave nga llogaria rrjedhëse, të cilat i ka alokuar Kuvendi Komunal i Prizrenit, dhe atë më datë 14.11.2008, shumën prej 2 mijë euro dhe më datë 04.12.2008 shumën prej 1 mijë e 137 euro, pa u ditur destinacioni i shpenzimit të parasë publike.

Po ashtu, nga këto mjete janë bërë furnizime nga firma “Bogdani” pronar i të cilit është vet Çoçaj, edhe atë njëherë 196 euro dhe njëherë tjetër 1 mijë e 420 euro, të gjitha këto shpenzime janë bërë jashtë destinimit për të cilin ishin alokuar mjetet për të mbuluar shpenzimet e manifestimit.

Me këtë ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës ose autoritetit zyrtar.

Në pikën e dytë të aktakuzës, Çoçaj, akuzohet se gjatë periudhës maj- qershor 2009 në Prizren, ka keqpërdorur sërish manifestimin e javës që mbahet në emër të dëshmorit “Remzi Ademaj”.

Kësaj radhe Çoçaj, nuk merr mjetet në xhirollogarinë e tij, por mjetet prej 11 mijë euro, alokohen në xhirollogarinë e ndërmarrjes botuese “Bogdani”, pronar i së cilës është vet ai.

Përmes këtyre mjeteve, pa procedura tenderimi, Çoçaj, ka paguar fatura furnitorëve, ka tërhequr para në bankomat, ka blerë në qendra tregtare, si dhe janë bërë furnizime nga firma “Bogdani” në shumën prej 822 euro.

Të gjitha këto shpenzime, Çoçaj, i kishte bërë jashtë destinimit për të cilin ishin alokuar mjetet, madje është bërë tejkalimi i shumës së lejuar prej 4 mijë e 141 euro, pa një vendim përkatës nga ana e Komunës për tejkalim.

Ndërsa në pikën e tretë të akuzës, Çoçaj akuzohet së bashku me arsimtarin Bekim Thaçi, nga fshati Nashec, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës ose autoritetit zyrtar.

Gjatë periudhës maj- qershor 2010, Bekim Thaçi, si person zyrtar duke keqpërdorur detyrën zyrtare, i tejkalon kompetencat e tij, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore për të akuzuarin Nexhat Çoçaj.

Thaçi, në cilësinë e kryetarit të këshillit organizativ “Manifestimi i javës së Remzi Ademaj” pas alokimit të shumës prej 10 mijë euro, në xhirollogarinë e tij bankare në “ProCredit Bank” në Prizren, menjëherë e bart pjesën e shumës prej 5 mijë 650 euro, e pastaj shumën prej 4 mijë e 350 euro, të gjitha në xhirollogarinë e të akuzuarit Nexhat Çoçaj, i cili pa një procedurë të tenderimit u ka paguar fatura furnitorëve, ka bërë blerje me kartelë, ka tërhequr para nga bankomati në Durrës, poashtu ka bërë edhe shpenzime nga firma personale “Bogdani” në shumën prej 724 euro.

Në pikën katër të akuzës, Çoçaj, sërish në vitin tjetër, gjatë muajve maj- qershor 2011, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, së bashku me arsimtarin Bekim Thaçi.

I akuzuari Bekim Thaçi, si kryetar i këshillit organizativ “Manifestimi i javës Remzi Ademaj”  pas alokimit të mjeteve nga Komuna, në shumën prej 12 mijë euro në xhirollogarinë e tij bankare, menjëherë sikurse në vitin 2010, shumën e tij bankare prej 3 mijë euro i bart të akuzuarit Nexhat Çoçaj.

Më pas, më datë 06 maj 2011, në emër të huazimit i bart sërish te Çoçaj, shumën prej 9 mijë euro, të cilat Çoçaj, pa procedurë tenderimi ka paguar fatura furnitorëve, ka tërhequr para nga llogaria rrjedhëse, poashtu ka paguar këstin e kredisë dhe këstin e qerasë dhe ka bërë blerje nëpër qendra tregtare.

Po ashtu, në xhirollogarinë e Nexhat Çoçajt, më datë 29.08.2011, janë derdhur mjetet në shumën prej 3 mijë e 500 euro, ndërsa më datë 21.11.2011, është derdhur shuma prej 2 mijë euro, të gjitha këto shpenzime janë bërë, jashtë destinimit për të cilin ishin alokuar mjetet për të mbuluar shpenzimet e manifestimit, të dhëna këto të përshkruara sipas mendimit të ekspertit financiar Agim Kastrati.

Çoçaj, në pikën e pestë të aktakuzës, akuzohet se në bashkëkryerje me arsimtarin Bedri Çejku, nga Prizreni, kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar.

Bedri Çejku akuzohet se gjatë periudhës maj- qershor 2012, si kryetar i këshillit organizativ “Manifestimi i javës Remzi Aemaj” pas alokimit të mjeteve në xhirollogarinë e tij bankare, në shumën prej 10 mijë euro, një pjesë të mjeteve nga periudha kohore prej 28 maj 2012, deri më 04 qershor 2012 paguan me kesh porositë që i ka bërë për manifestimin, ndërsa pjesën tjetër të parave i’ a ka dhënë të akuzuarit Nexhat Çoçaj.

Ky i fundit, pos që kishte bërë porosi dhe pagesën për manifestimin e javës “Remzi Ademaj”, ka transferuar para në llogari kursimi për fëmijët, ka paguar këstin e kredisë dhe të qerasë, poashtu ka bërë blerje me kartelë nëpër qendra tregtare duke tërhequr mjete në shuma të ndryshme nga bankomati, si dhe ka bërë tërheqje të parave nga llogaria rrjedhëse pa u ditur destinacioni i shpenzimit të parasë publike.

Derisa, kjo aktakuzë të dorëzohet në krimet e rënda në Gjykatën Themelore të Prizrenit, Çoçaj, në të njëjtën kohë po gjykohet edhe në një rast tjetër, poashtu për vepër penale të Keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar, për shkelje të ligjit të prokurimit për furnizim të shkollave me aparate fotokopjuese.

Po për vepër penale të Keqpërdorimit të pozitës ose autoritetit zyrtar, Çoçaj, së bashku me dy zyrtarë të lartë të DKA-së në Prizren, në qershor të vitit 2013, u shpallën të pafajshëm. Ata dyshoheshin për keqpërdorim të tenderit për dërgimin e maturantëve në bregdetin e Shqipërisë.