Miratohet Projektbuxheti 2015 Pa Rritjen e Pagave Prej 25 Për Qind

Qeveria e Kosovës të hënën miratoi Projektligjin për Buxhet 2015. Në të nuk është përfshirë rritja e pagave për 25 për qind që ndodhi gjatë vitit 2014 prej ekzekutivit të drejtuar nga Hashim Thaçi. Këto para do të përdoren për qëllime tjera.

Kryeministri Isa Mustafa theksoi se për vitin 2015 planifikohen të hyra buxhetore 1 miliardë e 576 milionë euro, ndërsa shpenzime prej 1 miliard e 682 milionë euro.

“Te të hyrat planifikohet të ketë 1.8 për qind më të larta nga viti 2014, te të dalat kemi 6 për qind më shumë sesa në vitin 2014. Dhe po ashtu është një mospërputhje mes të hyrave dhe dalave që parashihet të plotësohet nga të hyrat tjera jofiskale që është në harmoni me marrëveshjet që janë bërë më Fondin Monetar ndërkombëtarë sa i përket deficitit buxhetor”,tha Mustafa.

Avdulla Hoti, ministër i Financave, tha se të hyrat nga tatimet e brendshme dhe ato doganore pritet të rriten për 7 për qind, si është paraparë në këtë projektbuxhet, ndërsa vetëm të hyrat e brendshme pritet të rriten për rreth 17 për qind. 

Ai ka thënë se rritja e pagave prej 25 për qind  që ka ndodhur gjatë vitit 2014, në vitin e ardhshëm do të jetë një rritje e buxhetit, pasi nuk do të destinohet për të njëjtin qëllim.

“Tek shpenzimet në kategorinë e pagave dhe mëditjeve ka një rritje të konsiderueshme e cila reflekton rritjen prej 25 për qind të pagave që kanë ndodhë nga muaji maj i këtij viti, pra që futet komplet rritja e plotë gjatë gjithë vitit fiskal në vitin 2015”, shpjegoi Hoti.

Ministri i Financave, si shefi i tij Mustafa shtoi, se shpenzimet pritet të rriten për 6 për qind në krahasim me vitin 2014 dhe do të financohen prioritetet sipas fushave.

Ministrat Hajredin Kuçi dhe Skënder Hyseni gjatë mbledhjes informuan kabinetin qeveritar për pjesëmarrjen e tyre në samitin e ministrave të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, që është zhvilluar në Beograd më 12 dhjetor.