Ndërtuesi i Parkut të Biznesit Do Marrëveshje për Pranim të Fajësisë

Seanca ku dëshmoi Sadri Hykosmani, njëri nga të akuzuarit, ish-zyrtar për financa në MTI nga viti 2004 deri në 2010, nisi me gjysmë ore vonesë.

Para se të merrej në pyetje Hykosmani, gjyqtari Jorge Ribeiro Martins, e bëri për këtë të akuzuar një përmbledhje të dëshmisë së të pandehurit tjetër në këtë proces-Adem Zogianit.

Zogiani që në kohën e ndërtimit të Parkut të Biznesit në Drenas ishte sekretar i përhershëm në MTI, gjatë dëshmisë së tij të dhënë më 1 tetor e kishte akuzuar drejtëpërsëdrejti Hykosmanin për pagesa të palejuara, duke e cilësuar si një ndër figurat kyçe të Ministrisë.

Zogiani kishte treguar se në zyrën e Hykosmanit qe kërcënuar për shkak të zbulimit të një pagese gjatë auditimit të brendshëm.

Hykosmani tregoi se fillimisht në MTI ishte pranuar si zyrtar për inventarizim, por pas një kohe të shkurtër kishte kaluar në pozitën e zyrtarit financiar në këtë ministri.

Hykosmani raportet me të akuzuarin tjetër Adem Zogiani i cilësoi shumë të mira, duke iu përgjigjur pyetjes së avokatit të tij Sadri Godancit për këto raporte.

 “Unë me zotëri Zogianin kemi pasë raporte shumë të mira, madje jashtë raporteve kolegiale, kemi pasë edhe raporte miqësore”, tha Hykosmani.

Kjo miqësi sipas Hykosmanit zgjati derisa Zogiani ia bëri një telefonatë ku i kërkonte bashkëpunim kundër pjesës tjetër të të akuzuarve.

 “Kjo shoqëri ka vazhduar deri në kohën kur dikush nga EULEX-i m’ka thirrë mua personalisht në telefon dhe më ka sqaruar që është ngritë aktakuzë ndaj meje  dhe nuk më kujtohet saktë kur m’ka thirrë Ademi[Zogiani], mirëpo pas thirrjes në telefon ka kërkuar nga unë që të bashkpunojmë në këtë rast dhe të dalim kundërshtarë të pjesës tjetër të akuzuarve”, tha Hykosmani.

Në këtë proces gjyqësor bashkë me Sadri Hykosmanin, Adem Zogianin dhe Hilmi Bellopojën po gjykohen edhe zyrtarët e MTI-së nexhat Krasniqi e Safet Fazliu.

Më tutje Hykosmani deklaroi se nuk ka pranuar ofertën e Zogianit.

 “Përgjigja ime ka qenë shumë e shkurtër. Unë si i akuzuar në këtë rast nuk do të bashkëpunoj me askënd dhe do të jem transparent me gjykatën për atë çka kërkohet prej nesh”, tregoi Hykosmani se çfarë i ka thënë Zogianit.

Zogiani gjatë dëshmisë së tij e kishte akuzuar Hykosmanin se në një fletëpagesë e kishte vendosur nënhkrimin tri herë. Edhe këtë e arsyetoi Hykosmani.

 “Lidhur me cështjen e nënshkrimit në vitin 2006 unë u certifikova si zyrtar zotues në Ministrinë e Financave dhe kam nënshkuar në atë cilësi. Sa i përket nënshkrimit tjetër në pozicion tre, në zyrën e financave kemi qenë vetëm tre persona dhe në pamundësi për të gjetë një zyrtar tjetër mua më caktuan si zyrtar alternativ certifikues. Të gjitha janë bërë me urdhër të eprorëve të mi” tha Hykosmani.

Hykosmani mohoi edhe akuzën e Zogianit se ishte zyrtar kyç për pagesa në MTI. Për ta demantuar këtë tregoi hierarkinë e kësaj ministrie.

 “Unë kam qenë zyrtar për financa unë ju kam përgjigj shefes për Buxhet dhe Financa që ka qenë Mevlude Beqiri, pas asaj ka qenë zëvendësdrejtori i administratës Abdullah Haxhiu dhe pastaj Selatin Ratkoceri dhe pas tij  në krye të stafit civill vjen Sekretari i Përhershëm. Një kohë  ka qenë  Skender Ahmeti dhe pastaj Adem Zogjani. Kjo ka qenë  hierarkia dhe pozicioni im në MTI”, sqaroi Hykosmani.

Ai u shfaq i çuditur se si Zogiani e ka vendosur në krye të strukturës organizative të MTI-së.

 “Unë befasohem që parafolësi im pozicionin tim e ka lënë mu në krye të insttitucionit dhe kjo në realitet absulitisht nuk është e vërtetë” U përgjigj Hykosmani.

Para se të dëshmonte Sadri Hykosmani, avokati Abit Asllani tha se klienti i tij-biznesmeni Hilmi Bellopoja kërkon nga gjykata që t’i lejoohet të negociojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë me shkrim me Prokurorinë.

 “I mbrojturi im ka pranuar njëlloj fajësie dhe  mbrojtja është e interesuar që t’i propozojë Prokurorisë një negocim të një marrvëveshjeje për pranimin e fajësisë. Vlerësoj se kjo do të ishte në interes të ekonomizimit të procedurës, e po ashtu edhe në interes të të mbrojturit tim” tha Asllani.

Gjyqtari Jorge Ribeiro Martins pas konsultimit me trupin gjykues tha se përderisa nuk ka një marrëveshje të nënshkruar me Prokurorinë, edhe Himi Bellopoja do të vazhdojë në këtë rast me të tjerët.

I akuzuari i parë në këtë rast Nexhat Krasniqi ka vendosur të mbrohet në heshtje.

 

Seanca e radhës do të mbahet më 23 janar dhe dëshmitarin/të akuzuarin në pyetje do ta marrë prokurori Besim Kelmendi.