Agani Lë Detyrën-Nuk Pranon se Po Hetohet në Rastin “Stenta”

Por ish-ministri Agani thotë se ai dyshohej për shkeljen e ligjit të prokurimit, e jo për mosveprim.

 “Dyshimi që ka ekzistuar në ditën që jam ftuar për t’i dhënë ato sqarime është se e kam shkelur Ligjin e Prokurimit Publik, gjë që përfundimisht është vërtetuar se nuk është e vërtetë, sepse ato mjete, ato marrëveshjet tona me spitale private janë nënshkruar në bazë të ligjit për menaxhimin e financave publike, të rregullave përkatëse financiare të Ministrisë së Financave “, theksoi Agani.

Agani tha se në komunikatën e Prokurorisë në ditën kur është ftuar për t’u marrë në pyetje, ai është dyshuar për shkelje të ligjit të prokurimit dhe jo për mosveprim në rastin “Stenta”.

Ish-ministri Agani tha se e vërteta është  se ai kishte vepruar në vitin 2013 duke kërkuar nga Drejtoria për Krime të Rënda Ekonomike që të hulumtojë shkeljet eventuale që kanë të bëjnë me pagesën e provizioneve nga ana e institucioneve mjekësore për mjekët që referojnë pacientë.

Për ta vërtetuar këtë, menjëherë pas konferencës, Zyra për Informim e Ministrisë së Shëndetësisë ka adresuar tek Kallxo.com këtë dokument që mban numrin 05-1784, ku atëbotë ministri Agani  më 27 mars 2013, ka kërkuar nga Drejtoria për Krime të Rënda Ekonomike të hetohen disa mjekë.

Agani dyshonte se ata po dërgonin pacientë për koronarografi në institucione private me qëllim të përfitimit material, për përfitim të materialeve të mjekëve, për referim të pacientëve, për marrje të shërbimeve shëndetësore në institucione private shëndetësore, si dhe për falsifikim të penjve kirurgjikë nga lista esenciale e barna. Të gjitha këto sipas Aganit janë publikuar në mediat në Kosovë.

I pyetur nëse i ka parë deklaratat e prokurorit special, Besim Kelmendi në Emisionin “ Jeta në Kosovë”, Agani tha se nuk dëshiron t’i komentojë ato.

 “Deklaratat e zyrtarëve të Prokurorisë të dhëna në media nuk dua t’i komentoj, sepse, thjesht nuk e kam shikuar dhe vetë nuk kam pasë rastin ta përcjell. Prandaj mund t’i interpretoj edhe gabimisht dhe nuk dua që t’i interpretoj gabimisht deklaratat e tij”, pohoi Agani.

Ndërsa ministri i ri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani i pyetur se çka do të bëjë për ta kthyer besimin e qytetarëve në shëndetësinë e Kosovës tha se problemet në shëndetësi janë të trashëguara me dekada.

 “Problemet në shëndetësi janë të trashëguara me dekada dhe nuk është vetëm problemi i stentave që e ka humbur besimin e qytetarëve në shëndetësinë kosovare. Viteve të fundit ka pasur ngritje të shërbimeve shëndetësore dhe nëse e keni parë programin e qeverisjes aktuale, një nga prioritetet është shëndetësia dhe përkrahja politike”, tha Rrahmani.

Gjatë ditës së premte Ferid Agani ia dorëzoi postin ministrit të ri, Imet Rrahmani, ndërsa pak më vonë Agani u emërua si ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimin Hapësinor, post ky që është mbajtur nga Dardan Gashi.