Truproja e Vulin: Ishte Ftohtë në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë

Edhe të mërkurën, dëshmitari në cilësinë e të dëmtuarit u përgjigj në pyetjet e avokatëve mbrojtës.

Seanca e të mërkurës ishte mjaft e tensionuar, sidomos Prokurori i cili pothuajse në çdo pyetje të avokatëve të mbrojtjes reagonte, ngrinte zërin, aq sa u desh disa herë që kryetari i Trupit Gjykues t’ia tërheqë vërejtjen.

Vulin vizitoi Graçanicën më 7 janar 2013, ndërsa Prokuroria e EULEX-it akuzon 11 policët se gjatë kësaj dite fillimisht kanë ndaluar dhe më pas keqtrajtuar shoqëruesit e tij.

Avokati Gani Asllani e pyeti dëshmitarin se a ishte i njoftuar ai se me rastin e vizitës së Vulinit në Kosovë, për sigurinë e tij do të përkujdesej Policia e Kosovës.

“Jo, askush nuk më ka njoftuar mua, pse do të më njoftonin mua për këtë” u përgjigj dëshmitari.

Avokati Asllani e pyeti pastaj, “Pra ju për këtë arsye keni organizuar roje paralele për Vulinin?”

Prokurori i rastit Danilo Cecarelli, e kundërshtoi këtë pyetje duke thënë se nëse bëhen këso pyetje nuk do të shkohet larg, por Gjyqtari Vladimir Mikula nuk ndërhyu dhe dëshmitari u përgjigj. “Kjo nuk është e vërtetë, Gjykata na ka liruar neve nga këto akuza”, tha MIllojeviq

Pas avokatit Asllani, pyetje për dëshmitarin pati edhe avokati Xhafer Maliqi.

Maliqi e pyeti dëshmitarin se ditën kritike, deri në arrestimin e tij a kishin qëndruar tërë kohën në kishë.

“Po”, u përgjigj dëshmitari.

Maliqi më pas e pyeti se ku ka qëndruar Vulini atë ditë.

“Më duket se edhe ai ka qëndruar në kishë”, u përgjigj dëshmitari.

Maliqi më pas e pyeti dëshmitarin se a e kishin përcjellë Vulinin deri në Radio KIM, në Graçanicë atë ditë, ku ai kishte për të dhënë një intervistë.

“Jo”, u përgjigj dëshmitari.

Pas kësaj përgjigje të dëshmitarit, Maliqi e ballafaqoi atë më deklaratën e tij të dhënë para Policisë së EULEX-it, në të cilën kishte deklaruar se pas shërbimit në kishë ata shkuan në radio që Vulin ta bëjë intervistën dhe më pas të largoheshin nga Kosova, Maliqi e pyeti dëshmitarin se pse kishte deklaruar kështu.

“Unë nuk e di si është përkthyer por unë nuk jam deklaruar në atë mënyrë”, tha Millojeviq.

Avokati Maliqi më pas e pyeti dëshmitarin se pse e kishin shoqëruar Vulinin në Radio, pasi që nuk kishit të bënit asgjë me të.

“Nuk ndiheshim të sigurt dhe dëshironim të ktheheshim të gjithë në shtëpi”, u përgjigj dëshmitari.

Më pas Maliqi e pyeti dëshmitarin se pse nuk ndiheshin të sigurt e dëshmitari  u përgjigj se “pamë çfarë u ndodhi disa muaj më parë në ditën e Vidovdanit” ndërsa më pas shtoi se “kam të drejtë të mos ndihem i sigurt”.

Avokati Maliqi në vazhdim e pyeti dëshmitarin lidhur me kushtet në qendrën e ndalimit ku kishin qëndruar një natë

“Ishin kushtet shumë të vështira, dritarja ishte e hapur dhe nuk mbyllej dhe ne u dasht që të vendosim një batanije për ta penguar të ftohtin. Sjellja e stafit në qendrën e ndalimit ka qenë shumë korrekte dhe i falënderoj të gjithë”, tha dëshmitari.

Dëshmitari më pas u pyet për muzikën që kishin dëgjuar atë natë.

“Aty dëgjohej muzikë por nuk e di saktë se nga vinte por më duket se vinte nga korridori. Muzika nuk është dëgjuar tërë kohën, ndërsa sa i përket në muzikës në kombi ajo ka qenë në gjuhën shqipe sepse dëgjohej fjala Drenicë”, tha dëshmitari duke përshkruar ngjarjen.

Avokati Maliqi më pas e pyeti dëshmitarin se pasi që ishin liruar dhe kishin shkuar me taksi në Graçanicë, a u ishte ofruar ekzaminim mjekësor nga mjekët e EULEX-it.

“Po”, tha ai.

Avokati më pas e pyeti se pse ata, me përjashtim të njërit, nuk kishin pranuar që të ekzaminoheshin nga pjesëtarët e EULEX-it.

“Nuk pranuan të ekzaminoheshin pasi që dëshironin të ktheheshin në shtëpi më shpejt”, u përgjigj dëshmitari.

Avokati Maliqi e pyeti më pas se si e shpjegonte dëshmitari këtë nxitim që të ktheheshin në shtëpi e ata një natë më parë kishin qëndruar në Graçanicë dhe nuk ishin kthyer në Leposaviq.

“Askush nuk ofroi që të na përcillte deri atje, as KFOR-i, as Policia, as EULEX-i”, u përgjigj dëshmitari.

 Seanca e radhës do të mbahet të martën, 9 dhjetor.