Një Lider Si Vedati i Stupcave (TV)

Sonte ai do të paraqitet i tillë në skenën e Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Vedat Bajrami, njëri ndër protagonistët e grupit humoristik “Stupcat”, pas suksesit të arritur në premierën e Stand- Up Comedy “USA”, që e ka paraqitur për herë të parë më 20 maj të këtij viti, sonte sërish në orën 20:00 pret me padurim që të dalë përsëri para shikuesve me reprizën e saj.

USA është shkurtesë në anglisht për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, në këtë rast, shkronja “A” merr dy kuptime. Vedati e vë atë edhe në kontekst të Shqipërisë (Albania).

Bajrami thotë se kësaj reprize mund t’i thuhet edhe premierë pasi që shumë shikues nuk kanë pasur mundësinë që ta shikojnë premierën për shkak të shitjes së shpejtë të biletave.

Në intervistë për KALLXO.com, ka thënë se kjo është një Stand-Up origjinal të cilin e ka shkruar vetë dhe që i ka marrë rreth katër muaj.

“Sot është premiera, repriza e Stand-Up. Po mu po më doket si premierë se nuk kanë arritë shumica me pa dhe ka kërkesë shumë të madhe. Biletat janë shitë në afat rekord, nuk e kam besuar. Janë shitë shumë shpejt dhe besoj se kemi me kalu mirë sonte”, ka thënë Bajrami.

Shfaqja zgjat rreth 1 orë e 20 minuta dhe në skenë, Vedati vjen si një lider i popullit. Madje si lider i lindur për të qenë i tillë.

Ai ka shtuar se në komedi përfshihet jeta dhe përjetimet e tij që nga fëmijëria deri në ditët e sotme.

“Fillon jeta prej kur kam qenë i vogël deri në ditët e sotme. Aty përfshihet shumëçka: lufta, paslufta, problemet, bisedimet, Brukseli, Haga, raportet tona shoqërore, sociale, politike, jeta e vështirë, sakrifica paraluftës, mbas luftës, deri në çdo pikë nuk lë asnjë pikë pa e prekë”, shton ai.

I ulur në një zyret e kompanisë së tij pak orë para shfaqjes, Vedati nuk ka dashur të zbulojë shumë rreth kësaj komedie e cila është përgatitur me shumë origjinalitet dhe që sjellë diçka më ndryshe për publikun.

Megjithatë, ai për KALLXO.com, tregoi se si fillon shfaqja

“Fjalët e para janë shtyjuni ju shtyjuni kush pe nxen fotelen, kush po e nxen karrigen. Këtu është biseda e parë me publikun. Nuk i dedikohet publikut por dihet kujt, që po shtyhen për karrige e për shumë gjëra”, ka treguar Bajrami.

Bajrami nënvizon se është aktori i parë që e ka luajtur shfaqjen pa promter, mjetin që ia bënë më të lehtë artistit për ta lexuar tekstin, pasi që thotë se ky mjet ia humb origjinalitetin shfaqjes.

Ai tha se ka dëshirë që të bëjë diçka autoktone, prandaj kjo e ka shtyrë që edhe ta shkruajë shfaqjen prej imagjinatës së vet e jo ta adoptojë nga ndonjë vepër.

“USA I ka dy kuptime. Është USA përkrahja e Amerikës apo është Amerikë? Jo është United States of Albania. Shtetet e Bashkuara të gjithë shqiptarisë. E ka një qëllim që gjithë ne jemi një pa ndarje Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi, Çamëri apo Preshevë jemi një. U pa edhe historikisht se për neve kufij nuk ka po ne duhet me pas një zë. Jemi një. Shqiptar”, u shpreh Bajrami.

Ai tregoi se publiku e ka pritur jashtëzakonisht mirë ndërsa tha se nuk ka marrë ndonjë kritikë nga politikanët edhe pse në premierë janë parë shumë pak prej tyre.

I vetmi politikan të cilin Bajrami e ka parë t’i ketë ardhur në shfaqje gjashtë muaj më parë ka qenë kryetari i komunës, Shpend Ahmeti. Të tjerët ishin adhurues të tij të thjeshtë si dhe kritikë të artit.

Në këtë intervistë Bajrami zbuloi se në muajin dhjetor do t’i ketë edhe dy shfaqje në Teatrin Kombëtar. Ndërsa, si ide e tij është që këtë Stand-Up Comedy ta shfaqë edhe në qendra të tjera të Kosovës shkaku i kërkesës së madhe e gjithashtu edhe në vendet e rajonit e në diasporë.

Ai ka komplimentuar publikun duke thënë se kur ka shfaqje të mira publiku e di rrugën për në teatër.

“Nuk po dua tash me fol a kanë shfaqjet publik, pse nuk vjen në teatër. Publiku jonë rrugën e teatrit e njeh shumë moti prej baballarëve tanë që e kanë ditë ku është teatri dhe çka është teatri. Veç a ka shfaqje të mira, publiku e din rrugën”, theksoi Bajrami.

Ai ka falënderuar regjisorin Faik Ispahiu, dhe Agron Sokolin të cilët i kanë dhënë mbështetje dhe siguri për ta realizuar këtë Stand-Up, si dhe koleget e tij Osmanin dhe Mensuri.

Ai tregoi se tash është duke punuar edhe në projekte të reja siç janë skeçet e Vitit të Ri ndërsa përfundimi i këtyre planeve do t’i hapë rrugën një seriali i cili nuk dihet ende se në cilin televizion vendor do të shfaqet.

“Na mbetet vetëm ta bëjmë skenarin e mirë”, thotë ai.