Gjyqtarja Vendosi Masën e Sigurisë Ndaj Ferdije Zhushi- Etemit dhe Armend Mujës

Avokati i Zhushi- Etemit, Gëzim Kollçaku, konfirmoi për KALLXO.com se kjo është masa e cila u është caktuar atyre nga gjyqtarja e procedurës paraprake në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Alltëne Murseli, pas seancës së sotme.

Gjatë kësaj seance, prokurori i rastit Suad Kuraja, kishte kërkuar masën e arrestit shtëpiak ndaj tyre, por mbrojtësit e të ndaluarve të djeshëm kishin kërkuar masë më të lehtë të sigurisë.

Prokurori Kërkon Arrest Shtëpiak për Ferdije Zhushin e Armend Mujën

12:52

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Suad Kuraja, ka kërkuar arrest shtëpiak për Ferdije Shushi- Etemin dhe Armend Mujën, të ndaluar dje për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në Agjuencinë Kosovare të Akreditimit.

Gëzim Kollçaku, avokat i Ferdije Zhushit tha për KALLXO.com se prokurori i rastit kas kërkuar arrest shtëpiak, mbrojtja ka kërkuar një masë më të lehtë.

“Të pakënaqur edhe me këtë masë të kërkuar, ne kërkuam që klientja ime të mbrohet në liri pasi ato vepra për të cilat ajo dyshohet, ne besojmë se nuk janë kryer nga ajo. Kemi bindjen që mbrojtësja ime do të lirohet”, tha Koll”, tha Kollçaku.

Ferdije Zhushi- Etemi e Armend Muja Dalin Para Gjykatës

10:28

Dy të ndaluarit nga operacioni i djeshëm i policisë dhe prokurorisë, Ferdije Zhushi- Etemi dhe Armend Muja, kanë dalë para gjyqtares së procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Alltëne Murseli.

Në këtë seancë, pritet që prokurori t’i kërkojë gjykatës caktimin e masës së sigurisë për dy të ndaluarit të cilët dyshohen për keqpërdorime brenda Agjencisë Kosovare të Akreditimit.

Prokuroria dje ka thënë se për të pandehurit ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojnë dobi në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të tërthortë, duke kërkuar përfitime në të holla nga disa pronarë të universiteteve private.