Arrestohen Ferdije Zhushi- Etemi dhe Armend Muja

Prokuroria ka konfirmuar se sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Policia e Kosovës ka kryer sot një operacion në Agjencionin Kosovar të Akreditimit në Prishtinë, ku ka arrestuar F.Zh.E, zyrtare e këtij agjencioni dhe A.M., ish zyrtar i lartë në UNDP, si dhe ka bastisur shtëpitë e tyre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, si dhe raportin mbi veprimet e ndërmarra nga Departamenti Special Antikorrupsion në Policinë e Kosovës, më 14 nëntor 2014, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër B.M. zyrtar i Agjencionit Kosovar të Akreditimit, F.Zh.E. zyrtare e Agjencisë së Kosovës për Akreditim, si dhe A. M., ish zyrtar i lartë në UNDP.

“Për të pandehurit ekziston dyshimi i arsyeshëm se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, me qëllim që të përfitojnë dobi në mënyrë të drejtpërdrejt dhe të tërthortë, duke kërkuar përfitime në të holla nga disa pronarë të universiteteve private”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Me këtë të pandehurit B.M. dhe F.Zh.E. në vazhdim dhe bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetin zyrtar, si dhe së bashku me të pandehurin A.M. në vazhdim dhe në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale marrja e ryshfetit.

Prokurori i rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për ndalim ndaj dy personave të arrestuar.

11:45

Burime Nga Prokuroria: Arrestohet Armend Muja 

Liridona Kozmaqi, zëdhënëse në Prokurorinë Speciale, për KALLXO.com ka dhënë informacione shtesë rreth bastisjeve të sotme në zyrat e Agjencisë së Akreditimit dhe të shtëpisë së drejtoreshës së këtij institucioni, Ferdije Zushi.

“Janë arrestuar dy persona, një ish-zyrtar i UNDP-së dhe një zyrtar i Agjencionit të Akreditimit”, ka thënë Kozmaqi.

Ajo gjithashtu tha se pritet arrestimi edhe i një zyrtari të Agjencisë së Akreditimit.

Burime të KALLXO.com nga Prokuroria Speciale bëjnë të ditur se njëri nga të arrestuarit është Armend Muja, i cili ka punuar më parë në UNDP.

Ende nuk është bërë e ditur se në bazë të çfarë dyshimesh janë bërë këto arrestime.

Prokurori në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Suad Kuraja, i kontaktuar nga KALLXO.com, tha se nuk është i autorizuar të flasë.

11:47

Ka përfunduar Bastisja e Policisë në Zyrat e Agjencisë së Akreditimit 

Gjatë daljes nga zyrat KALLXO.com e ka zhvilluar një intervistë të shkurtër me drejtoreshën Ferdije Zhushi.

Drejtoresha  tha se bastisja po bëhet për shkak të disa ankesave që janë bërë, duke mos e saktësuar nëse ajo është e dyshuar apo jo.

“Kanë marrë disa dokumente dhe tash vazhdon procedura. Kanë bërë bastisje të dokumenteve, vetëm këto”, ka thënë Zhushi.

Ajo duke hipur në makinën e policisë ka pranuar edhe është bastisur edhe shtëpia e saj.

<iframe width=”560″ height=”315″ src=”//www.youtube.com/embed/fWYBy4_3xIE” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe> 

11:15

Bastisen Zyrat e Agjencisë së Akreditimit (TV)

Në orët e hershme të mëngjesit njësi speciale të policisë së Kosovës janë futur në zyrat dhe shtëpinë e drejtoreshës së Agjencisë së Akreditimit Ferdije Zhushi. 

Momentalisht bastisja është duke vazhduar.

Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje për arsyet e bastisjes. Zëdhënësi Baki Kelani i ka thënë KALLXO.com-it se nuk ka informacione për ndonjë bastisje.

Ndërsa zëdhënësja e Prokurorisë Speciale Liridona Kozmaqi ka konfirmuar se bastisjet  janë duke u kryer me urdhër të prokurorisë speciale.

“Nuk kam ende informacion te saktë për çfarë dyshimesh janë duke u kryer bastisjet, mirëpo ato janë duke ndodhur me urdhër te Prokurorisë Speciale”, ka thënë Kozmaqi.

Ekipet e KALLLXO.com janë në vend të ngjarjes dhe do ju sjellin informacione të tjera.