Haziri: Ende Jemi Pjesë e Koalicionit Paszgjedhor
Lidhja Demokratike e Kosovës është duke kërkuar rrugëdalje për ndërtimin e institucioneve të vendit duke respektuar edhe rolin e partnerëve tjerë të koalicionit paszgjedhor. Ky qëndrim doli pas mbledhjes së Kryesisë së partisë numër 2 në Kosovë të martën.
Nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri u pyet nga gazetarët se a do të fillojë kjo parti bisedimet me PDK-në nëse prishet blloku LDK-AAK-Nisma.
“LDK-ja ende është pjesë e koalicionit dhe derisa LDK-ja ka një marrëveshje me partnerët e saj, nuk i sheh të arsyeshme bisedimet me palët tjera për koalicion”, tha Haziri.
Megjithatë, ai shprehu qëndrimin se marrëveshja e 10 qershorit mes tri subjekteve politike duhet të ndryshojë. Marrëveshja Isa Mustafën e nominonte për kryetar Kuvendi, por kjo pozitë sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet t’i takojë PDK-së.
“Ne mendojmë që marrëveshja e arritur mes partive duhet ndryshu, për shkak se implementimin e saj e ka pamundësu vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, tha Lutfi Haziri.
Haziri shtoi se po bisedohet mes bllokut që kreu i qeverisë t’i takojë LDK-së.
“Po bisedohet intensivisht që posti i kryeministrit t’i takojë LDK-së” tha, Lutfi Haziri.
Ai u pyet se me partnerët e koalicionit a kanë biseduar se çfarë do të ndodhë nëse Isa Mustafa nuk zgjidhet kryetar Kuvendi.
“Kemi thënë që në fillim që marrëveshja ose do te zbatohet në tërësi, ose është e papranueshme”, tha Haziri.
Kryesia e LDK-së sot do të takohet me kryetarët e degëve dhe strukturat e partisë, ndërsa nesër do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i kësaj partie.