Matoshi: Prishja e Bllokut, Besëpremje Ndaj Qytetarëve të Kosovës

Matoshi mendon se marrëveshjen e bllokut mund ta prishin vetëm ata të cilët e kanë shkruar këtë marrëveshje, e jo politikanët e rangut të dytë apo të tretë të këtyre partive.

Sipas tij, prishja eventuale e kësaj marrëveshjeje do të ishte një tradhti për qytetarët.

“Çdo veprim në këtë drejtim do të ishte besëpremje ndaj qytetarëve, të cilët i kanë mashtruar se po përkushtohen për një qeverisje ndryshe, dhe tash po del se blloku qenka formuar vetëm për pushtet personal”, tha Matoshi.

Sipas tij, me këtë veprim ata do të bëhen levë ose patericë e pushtetit të Hashim Thacit.

Kryesia dhe kryetarët e degëve të AAK-së, të hënën kanë mbajtur një mbledhje, ku i kanë dhënë mbështetje, Haradinajt që ai të jetë i nominuari i bllokut për kryeministër.

Pas përfundimit të mbledhjes, Ahmet Isufi i AAK-së, ka thënë se partitë e bllokut duhet të respektojnë marrëveshjen e 10 qershorit.

Marrëveshja e 10 qershorit në mes së LDK-së, AAK-së dhe Nismës parasheh që Haradinaj të jetë i nominuar për kryeministër.

Nga ana tjetër, përfaqësues të LDK-së, thonë se duhet ridizajnuar marrëveshja e 10 qershorit dhe Isa Mustafa duhet të jetë i nominuar për kryeministër, pasi që sipas tyre vendimi i Gjykatës Kushtetuese e pamundëson implementimin e kësaj marrëveshje.

Kryesia e LDK-së, të martën pritet të mbaj një mbledhje, ku përfundimisht do të dal me një qëndrim lidhur me fatin e bllokut.

“Është vendim i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës që LDK-së t’i takojë pozita e kryeministrit, pasi edhe ka shumicën në këtë koalicion dhe ne mbesim pranë këtij qëndrimi”, tha Arban Abrashi i LDK-së.

Por Matoshi kërkesën e LDK-së e quan si jo të drejtë dhe cinike pasi që, sipas tij, Isa Mustafa është zgjedhur njëherë kryetar i Kuvendit.

“Kërkesa e LDK-së nuk është legjitime. Zotëri Mustafa është nominuar dhe është zgjedhur kryetar i Kuvendit, por që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka dalë se zgjedhja e tij është e paligjshme dhe është dashur që praktikisht të tërhiqet”, u shpreh Matoshi për KALLXO.com.