Mbrojtja: “Natalisë ia Lanë Këmbët e Arushës në Dorë”

Natali Velija në këtë rast gjyqësor është e ngarkuar me plotë pesë akuza, krim i organizuar, pastrim të parave, mashtrim, shmangie nga tatimi, si dhe keqpërdorimi i besimit.

Në fjalën përfundimtare të Natali Veliajt thuhet se akuza për veprën penale të krimit të organizuar nuk është e qëndrueshme.

“Nuk ka krim të organizuar nëse vepra bazë nuk është e dënueshme me burgim prej së paku katër vjetësh, nëse nuk ka grup të formuar të formuar e strukturuar me ndarje të roleve dhe nëse struktura e tij organizative nuk ka mbështetje në ndonjë strukturë shtetërore ose partiake” thuhet në fjalën përfundimtare të Natali Veliajt.

Edhe veprën penale të pastrimit të parave mbrojta e Natali Veliajt ka qëndrimin e saj.

“Vepra e pastrimit të parave sipas aktakuzës nuk mund të skematizohet në ndonjërën prej skemave ku  paraqitet qarkullimi i parave me prejardhje të paligjshme për faktin se paratë sipas aktakuzës janë të njohura si për nga burimi, qëllimi, destinimi i tyre”, thuhet në fjalën përfundimtare.

Mbrojtja e Natali Veliajt kontradiktore i gjen edhe pikat e akuzës , mashtrim dhe keqpërdorim i besimit.

“A ka përfaqësuar (Natalia OeSD-në)rrejshëm apo duke “përfaqësuar ka keqpërdor autorizimin”, tha mbrojtja e Natali Veliajt.

Mbrojtja e Veliajt ngreh pyetje interesante edhe lidhur me pikën e akuzës për shmangie nga tatimi

“Kjo vepër penale e sanksionuar kështu konsideroj se është për studim për faktin se paratë e fituara me vepër penale a mund t’i nënshtrohen tatimit ?”, thuhet në mbrojtjen e Veliajt.

Prokurori i Eulexit Andreë Hughes në akuzën e ngritur e akuzon Natali Veliajn se në bashkëryerje me Fisnik Blakajn kanë organizuar, themeluar, mbikëqyrur dhe drejtuar aktivitetet e grupit të organizuar kriminal.

Sipas aktakuzës Natali Velija në mënyrë të paligjshme i ka pranuar në xhirollogarinë e saj bankare nga MPB-ja afër 1 milion e 420 mijë euro.

Mbrojtja e Natali Veliajt thotë se këto para Natalia nuk i ka pranuar në mënyrë të paligjshme.

“Natalia shumën e mjeteve prej 1 milion e 420 mijë euro nuk i ka pranuar në mënyrë të kundërligjshme, sepse kjo ka qenë e përcaktuar në autorizimin e OeSD-së dhe varësisht nga rrjedha e punës autorizimi është ndryshuar/zgjeruar”, tha mbrojtja e Veliajt.

Për ta mbështetur këtë fakt, avokatët e Veliajt thanë se Natalia qenë përgjegjëse edhe për pagesat e MPB-së për OeSD.

“Se Natalia ka qenë përgjegjëse e dëshmon edhe fakti se në autorizim është përcaktuar ‘të gjitha obligimet financiare të OeSD në Kosovë do të shqyrtohen nga përfaqësuesi ynë zyrtar “, thotë mbrojtja e Veliajt.

Kjo mbrojtje dy dëshmitarët Reinhart Gausterer dhe Gerhart Wastl , njëkohësht edhe aktorët kryesorë në rastin e tenderëve të pasaportave biometrikë i vlerësoi jokredibilë dhe jo të besueshëm.

Mbrotja e Veliajt: Naiviteti i Natalisë u shfrytëzua nga drejtuesit e OeSD-së

“Kjo me të vërtetë ka qenë një punë e orkestruar nga vetë përfaqësuesit e OeSD-së, por e realizuar nëpërmjet Natali Veliajt. Duke shfrytëzuar naivitetin e saj  nuk janë lënë gjurmë të dhënies së mitës fillimisht për fitimin e tenderëve dhe më pas për mosrealizimin e saj konform kontratës“, tha mbrojta e Veliajt.

Sipas mbrojtjes së të akuzuarës kryesore OeSD-ja i kishte bërë kompanisë “IN Aus Term” një pagesë në vlerë prej 150 mijë euro.

“Ndërsa shpjegimi i OeSD-së lidhur me këtë pagesë është vetëm një përpjekje për të fshehur veprimet inkriminuese të tyre që nga fillimi i projektit për pasaporta gjoja për investim në lokalin ku kanë qëndruar makinat e prodhimit, me të drejtë shtohet pyetja: se nga e drejta e tyre që të investojnë në ndërtim apo renovim të objekteve të MPB, pa një procedurë , pa një tender e tjera”, tha mbrojtja e Veliajt.

Avokatët Beka e Paçarizi një renovim dhe praktikë të tillë e quajtën shqetësuese.

“Kjo faturë e paguar nga OeSD-ja është më shumë se një tregues se OeSD-ja krejt këtë tender e ka fituar me mitë dhe korrupsion dhe në mënyrë perfide pa lënë gjurmë, gjithherë duke shfrytëzuar naivitetin e Natalisë, sepse vetë Gausterer ka thënë ‘se pa Natalinë nuk do ta fitonim tenderin’”.

Mbrojtja më pas përdori një fjalë të urtë për të treguar se si e mendon pozitën e Veliajt.

“Kjo është për të ardhur keq që në fund [Natalisë]ia lanë ‘këmbët e arushën në dorë”, thuhet në fjalën përfundimtare të mbrojtjes së Natali Veliajt .

Mbrojtja e Veliajt konkludon se nuk u vërtetua që ajo i kreu veprat për të cilat ngarkohet.

“Prokuroria nuk arriti të vërtetojë tezën e aktakuzës se të akuzuarit kanë vepruar në grup, pra nuk u vërtetua me asnjë provë se si u formua grupi, kush e formoi atë, a u ndanë dhe cilat ishin detyrat e secilit nga anëtarët e grupit”, thuhet në fjalën përmbyllëse të shkruar të mbrojtjes.

Ajo në fund kërkoi nga gjykata që Natali Velija të lirohet nga akuza.

“Kërkoj që Natali Veliajn ta lironi nga akuza dhe t’ia ndërprisni masën e paraburgimit, sepse nuk është provuar se i ka kryer veprat penale për të cilat është akuzuar”, pretendon mbrojtja e Veliajt.

Dy avokatët fjalën përmbyllëse e përfunduan me një fjalë të urtë, të cilën e kishin thënë edhe në fjalën hyrëse.

“Drejtësia me të vërtetë na qenka një ‘rrjet i merimangës që i lëshon buajt e i ndal mizat’ e kjo vlen për prokurorin i cili hetimet i çoi deri në një pikë dhe i ndali”, përfundon fjalën e saj përfundimtare mbrojtja e Veliajt.

Seanca e radhës në rastin e pasaportave do të mbahet të hënën ku fjalën e tyre përfundimtare do ta thonë edhe dy avokatët e dy të akuzuarve të fundit dhe pastaj do të caktohet data ku do të jepet verdikti final i këtij rasti.