Brukseli do të monitorojë çdo vit ekonomitë e Ballkanit

Ministrat e Jashtëm dhe të Ekonomisë të Ballkanit dhe përfaqësuesit e BE-së ranë dakord në një konferencë të enjten në Beograd që Brukseli të rrisë mbikëqyrjen ndaj ekonomive rajonale.

Vendet e Ballkanit Perëndimor u zotuan të paraqesin “Programet Kombëtare mbi Reformat Ekonomike” në Komisionin Europian çdo vit, duke filluar nga viti 2015.

Këto programe duhet të paraqesin masat që vendet do të ndërmarrin për të siguruar stabilitet makroekonomik dhe financiar dhe do të përfshijnë afate kohore të qarta, bashkë me efektet e vlerësuara të këtyre masave në buxhetet përkatëse.

Stefan Fule, Komisioneri i BE-së për Zgjerim, tha se integrimi më i mirë i planeve mbi reformën ekonomike “do të dërgojë një sinjal të fortë për investitorët… që do të thotë më shumë investime dhe më shumë prosperitet për… vendeve në rajon”.

Fule tha se kjo përqasje e re e qeverisjes ekonomike do të përfshijë hartimin e programeve të besueshme për reforma dhe monitorim më të zgjeruar nga ana e BE-së.

“Kjo duhet të ndihmojë transformimin e ekonomive tuaja të tregut, duke i aftësuar për t’u përballur me presionet konkurruese dhe forcat e tregut brenda BE-së, si dhe duke nxitur konkurrencën, rritjen ekonomike dhe punësimin,” tha ai.

Avantazhet nga mbikqyrja më e madhe e BE-së për vendet e rajonit do të jenë “përfitimet e zgjerimit edhe para bashkimit me BE”, shtoi ai.

“Kjo nënkupton ndërtimin e urave ekonomike dhe duke filluar të mbyllim hendekun mes GDP-së në këtë rajon dhe në BE.”

Zyrtarët e Ballkanit diskutuan gjithashtu projekte mbi infrastrukturën, programe të tjera që mund të nxisin rritjen ekonomike dhe të tërheqin investimet e huaja të drejtpërdrejta, reformat strukturore dhe bashkëpunimin rajonal.

Konferenca e Beogradit mblodhi së bashku ministrat nga Serbia, Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi dhe Kosova.

Prania e Ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Fadil Ismajli, ishte e rëndësishme për t’u theksuar.

Të dy janë zyrtarët e parë të qeverisë kosovare që vizitojnë zyrtarisht Serbinë që kur vendi shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008.

Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet – dhe ka premtuar për të mos e bërë kurrë këtë – edhe pse nën presionin e BE-së ka rënë dakord për një dialog të udhëhequr nga BE-ja me Kosovën në “normalizimin” e marrëdhënieve.

Hoxhaj tha se vizita ishte një ngjarje historike e cila dëshmoi normalizimin e marrëdhënieve.

Dialogu i udhëhequr nga BE-ja “duhet të përfundojë me një traktat të paqes, i cili duhet të përfshijë njohjen e Kosovës si një shtet i pavarur, çka do të lejojë që Kosova të pranohet si anëtare në Kombet e Bashkuara”, u shpreh Hoxhaj.

Ivica Daçiç, ministri i jashtëm i Serbisë, tha se kaosi i kohëve të fundit si pasojë e ndeshjes kualifikuese për Euro 2016 mes Serbisë dhe Shqipërisë ishte një kujtesë për nevojën e vazhdueshme për bashkëpunim dhe stabilitet rajonal.

“Stabiliteti rajonal është shumë i rëndësishëm, dhe incidente si ai në ndeshjen Serbi-Shqipëri tregojnë se sa shumë kohë duhet për ta arritur atë – dhe sa pak është e nevojshme për ta prishur,” tha Daçiç.

Ndeshja më 14 tetor u ndërpre pas një zënie të shkaktuar nga një dron me flamurin e “Shqipërisë së madhe” mbi fushë e Beogradit.

Ditmir Bushati, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, i cili gjithashtu mori pjesë në konferencë, tha se “çështjet e shtetit nuk mund të drejtohen nga huliganizmi – nuk mund të drejtohen nga një ndeshje futbolli”.

Daçiç njoftoi se konferenca e ardhshme do të mbahet në Prishtinë, pasi Kosova të emërojë qeverinë e re.