Ja Vendimi Zyrtar i UEFA-s

Në komunikatën e UEFA-së thuhet:

“Organi i UEFA-s për Kontroll, Etikë dhe Disiplinë (CEDB) u takua dje dhe bëri të ditur vendimin me sa vijon pas incidenteve të ndryshme të cilat ndodhën gjatë ndeshjes së Grupit I për Kualifikimet Evropiane ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, e cila u luajt më 14 tetor në Beograd.

CEDB vendosi që ta regjistrojë ndeshjen e lartpërmendur si të braktisur. Si pasojë, Federata Shqiptare e Futbollit (FShF) e ka humbur ndeshjen me rezultat 3:0. Për më tepër, FShF është gjobitur me 100 mijë euro.

CEDB gjithashtu vendosi t’ia heqë Federatës Serbe të Futbollit (FSS) tri pikë për garën aktuale kualifikuese. Për më tepër, FSS është urdhëruar që t’i luajë dy ndeshjet e ardhshme të garës së UEFA-s si vendas me dyer të mbyllura. Përfundimisht, FSS është gjobitur me 100 mijë euro.

Vendimi është i hapur për ankimim”, thuhet ën komunikatën e UEFA-s

UEFA Ia Jep Serbisë Fitoren Pa Pikë Ndaj Shqipërisë

Komisioni Disiplinor i shtëpisë evropiane të futbollit i ka dhënë Serbisë tri pikët në tavolinë për ndeshjen e ndërprerë kundër Shqipërisë e cila u luajt më 14 tetor në Beograd.

Mediat shqiptare kanë raportuar se ky komision i ka dhënë Serbisë fitoren 3:0.

Vendimi nuk është bërë zyrtar ende nga UEFA, ndërkohë që zyrtarizimi i tij pritet të bëhet sot rreth orës 12:30.

Siç raporton Top Channel, me këtë vendim, pikët që i janë dhënë Serbisë në këtë ndeshje, i janë marrë automatikisht pasi që ajo është dënuar me minus tri pikë.

Ndër tjera, UEFA ka vendosur që për incidentet e shkaktuara në fushë, të dy kombëtaret të gjobiten me nga 100 mijë euro, ndërsa Serbia duhet t’i luajë edhe dy ndeshje tjera pa tifozë në stadiumin e vet.

Në një reagim zyrtar, Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur se do të ankohet ndaj këtij vendimi të cilin e ka quajtur “të padrejtë”.

Sekretari i Përgjithshëm i FShF-së, Ilir Shulku bëri publik vendimin, duke shpjeguar se nuk ka ende një argumentim të Komisionit Disiplinor lidhur me të.

Ndërsa, Artan Hajdari, përfaqësuesi ligjor i Federatës Shqiptare të Futbollit, u shpreh se vendimi i dhënë është i çuditshëm, por megjithatë pala shqiptare do të nisë procedurat për apelimin e tij.

“Ne kemi të drejtë të kërkojmë brenda 5 ditëve argumentet se përse është dhënë ky vendim dhe 3 ditë afat për të bërë ankimimin e tij. Lufta juridike do të vazhdojë dhe ne shpresojmë që drejtësia do të vendoset në vend”, u shpreh Hajdari.

Sipas tij, penalizimi kryesor për Shqipërinë është fakti që ekipi kombëtar ka refuzuar vazhdimin e ndeshjes në situatën e krijuar.

Pas incidentit që ndërpreu ndeshjen në minutën e 42-të, lojtarët shqiptarë u futën në zhveshtore të stadiumit të Partizanit të Beogradit. Paraprakisht ata i ishin nënshtruar dhunës së tifozëve që ishin futur në fushë dhe hedhjeve sulmeve nga tribunat e stadiumit rrugës për në zhveshtore.