Policia Arreston 6 Persona Për Trafikim Me Njerëz

Operacioni i Policisë së Kosovës për arrestimin e A.S, B.G, A.Z, L.T, A.A dhe M.S, është zhvilluar në rajonin e Ferizajt nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore të Policisë së Kosovës.
“Pas një hetimi të gjatë, ka arritur t’i identifikojë dhe përmes një plani taktik operativ t’i arrestojë gjashtë (6) persona të dyshuar, nën dyshimin e bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale ‘trafikim me njerëz’ si dhe në bashkëpunim, duke ndihmuar kryesit në kryerje të veprës penale, kanë rekrutuar dhe kanë mbajtur nën kontroll viktimën femër të moshës 15 vjeçare”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Të arrestuarit, sipas policisë, këtë veprimtari e kryenin në bashkëpunim për përfitim të shërbimeve seksuale dhe financiare.
Sipas policisë i dyshuari M.S. ka bashkëpunuar në kryerjen e veprës penale me personin A.S. ku i njëjti i ka ndihmuar të dyshuarit duke i krijuar kushte të mënjanimit të pengesave për kryerjen e veprës penale dhe ka fshehur provat e kryerjes së veprës penale.
Me urdhër të prokurorit, policia njofton se është bastisur edhe shtëpia e të dyshuarit M.S, ku i janë konfiskuar një revole, një thikë dhe dy telefona.