Qeveria Mund të Nënshkruajë Kontratën me Ish-Punëtorët e

Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik pranoi pjesërisht ankesën e kompanisë franceze “Louis Berger”, që u ankua kundër shpalljes fitues të Kompanisë “Hill International” në tenderin e mbikëqyrjes së punimeve në Autostradën Prishtinë-Han i Elezit.

Gjykata e Tenderëve në vendimin e marrë shkruan se kompania ankuese “Louis Berger”, kishte kërkuar qasje në dokumente zyrtare me datën 12 shtator dhe se Ministria e Infrastrukturës nuk i është përgjigjur.

“Për këtë arsye aprovohet pjesërisht si e bazuar ankesa. Mirëpo ky fakt nuk ka ndikuar në rezultatin final dhe në procedurën e këtij aktiviteti”, shkruan në vendimin e OShP-së.

Rezultati final i vendimit të OShP-së lejon që Ministria e Infrastrukturës të nënshkruajë kontratën me kompaninë “Hill International”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar me 7 tetor se si qeveria  e Kosovës shpalli fitues sërish “Hill International”, mbikëqyrjes së ndërtimit të rrugëve, kompaninë amerikane që drejtohej nga ish-zyrtarë të “Bechtel-it.

Francezët më 15 shtator dorëzuan ankesë në OShP. Ata nuk kontestonin ofertën financiare të kompanisë fituese që doli më e lira por pretendonin se Hill nuk plotësoi kriteret teknike për t’u shpallur fitues.

“Në bazë te dokumenteve të tenderit, pikët minimale do të duhej të ishin 70, në mënyrë që Ministria e Infrastrukturës të konsiderojë ofertat të përputhshme dhe të mundësojë hapjen e ofertave financiare”, thuhet në ankesën e francezëve të dorëzuar në OShP.

Hill, sipas kompanisë franceze, kishte mbledhur vetëm 64 pikë nga propozimi teknik.

Por Organi Shqyrtues i Prokurimit nuk i dha të drejtë në këtë pikë kompanisë franceze.

Bazuar në vendimin e OSHP-së llogaritja e pikëve është bërë ndryshe.

Hill, sipas OSHP-së, ka fituar 92 pikë nga 100 të mundshme nga propozimi teknik.

Kurse poenët e cekura në procesverbal që përmenden në ankesë nga kompania franceze sipas OShP-së janë pikët e shprehura në përqindje të totalit të propozimit të teknik.

Bazuar në vlerësimin e OShP-së përqindja prej 64.40 llogaritet 92 pikë gjatë vlerësimit të propozimit teknik.