Haradinaj: Zgjidhjen e Ngërçit Mund ta Kërkojnë Edhe Qytetarët

“Besoj se qytetarët duhet ta kërkojnë këtë gjithnjë, në çdo situatë, në çdo kohë, është e drejtë e tyre ta kërkojnë. Mënyra se si e kërkojnë duhet të vlerësohet. Nuk mund ta paralajmëroj ndonjë protestë vetë, sepse nuk kam planifikuar me dalë as me thirr protestë ende, por qytetarët e kanë këtë të drejtë në çdo kohë”.

Ai ka kërkuar nga kreu i PDK-së, Hashim Thaçi që të hapë rrugë për krijimin e institucioneve, pasi që nuk e ka shumicën.

“Ata që kanë krijuar shumicën, e fitojnë të drejtën për m’i ndërtu institucionet. Ai që ka dështuar ta krijojë një shumicë, apo t’i takojë një shumice, atëherë reflekton – e hap krahun. Ne po presim që kjo të ndodhë”, tha Haradinaj. “Ai duhet të reflektojë. Ai mund ta vonojë këtë, ai mund të presë, ai mund të shpresojë kush e di se në çfarë zhvillimi. Është shpresuar më herët në blerjen e deputetëve ose në përçarjen e Bllokut, por është vërtetuar më në fund se ndryshimi që kërkohet në vend e ka fuqinë më të madhe se çdo veprim tjetër”, shtoi ai.

Për Thaçin, Haradinaj tha se “Kjo është një qasje e dikujt që mendon se është i përjetshëm në pushtet”.

Sipas tij, nuk ka nevojë të shkohet në zgjedhje, përderisa ekziston shumica parlamentare.

“Në sistemin çfarë e kemi ne, zgjedhjet do të ishin mbajt nëse kemi disa grupime politike dhe asnjëri nga ne nuk e siguron një shumicë në parlament. Por në rast se është siguruar shumica, nuk parashihet mbajtja e zgjedhjeve”, tha kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Lidhur me mbajtjen e një takimi të mundshëm gjithëpërfshirës, edhe me Thaçin, ai tha se “Pa një reflektim që do të respektohet shumica parlamentare, s’ka kuptim të takohemi”, tha Haradinaj.

Haradinaj vlerësoi se ka ardhur koha të veprohet për zgjidhjen e situatës politike, ani pse ende nuk i di hapat konkret.

“Po vjen koha për të vepruar, por do të shohim se cilat veprime do t’i marrim. Interesimi ynë është që jo vetëm me vepru, por m’i kry punën siç duhet”, tha Haradinaj.

Këto komente kreu i AAK-së i bëri pas takimit që pati me Presidenten e vendit, Atifete Jahjaga në kuadër të raundit të radhës me takime me liderët politikë që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Isa Mustafa: Çfarë Zgjedhjesh?!

13:00

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, për herë të dytë brenda këtij viti, si pasojë e bllokadës politike disamuajshe.

Pas takimit të sotëm me Presidenten Jahjaga, kreu i LDK-së u shpreh se është e nevojshme që Gjykata Kushtetuese të japë sqarime si të dilet nga kjo bllokadë.

“S’ka zgjedhje. Çfarë zgjedhjesh?”, ka thënë Mustafa para gazetarëve.

Ideja për mbajtjen e zgjedhjeve të reja është duke u përmendur edhe nga vetë Presidentja Jahjaga që nga java e kaluar.

Por për kreun e LDK-së, zgjidhja e kësaj bllokade është në Kuvendin e Kosovës, institucion të cilit i ka mbetur e papërfunduar seanca konstituive që nga 17 korriku.

“Është e nevojshme që institucionet e pavarura të sqarojnë se si të dilet nga kjo situatë”, tha Mustafa duke aluduar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

I pyetur nëse është i gatshëm të takohet me kryetarin e PDK-së, Hashim Thaçi, për të diskutuar rreth zgjidhjes së situatës, Mustafa tha se me Thaçin pret të takohet në Kuvendin e Kosovës “e assesi në zyrë për të diskutuar për këto çështje”.