Me 15 Ditë Vonesë Hapet Fakulteti i Sigurisë Publike

69 pjesëtarë të sigurisë publike nga sot kanë nisur studimet Bachellor në fushën e sigurisë në Fakultetin e Sigurisë Publike në Vushtrri.

Ky fakultet i hapur për herë të parë në Kosovë, nuk kishte nisur punën siç ishte pritur më 1 tetor për shkak të problemeve teknike.

“Shtyrja e fillimit të studimeve në Fakultetin e Sigurisë Publike deri më datën 15 tetor është bërë për arsye se ende nuk kanë përfunduar punimet në amfiteatër, si dhe për shkak se mungojnë disa pjesë të inventarit që është i nevojshëm për studentët”, pati thënë me 30 shtator, Fidajete Geci, zëdhënëse në këtë fakultet.

Pas përfundimit të këtyre punimeve fakulteti është hapur të mërkurën, në përurimin e të cilit kanë marrë pjesë, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ud/i Kryeprokurorit të Shtetit, Sylë Hoxha, drejtues të Agjencive të Sigurisë Publike, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, lavdëroi punën e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka vlerësuar lartë punën e Akademisë e cila në përkrahje të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe pas një angazhimi të jashtëzakonshëm po hapet  Fakulteti i  Sigurisë Publike, përkatësisht fillimi i funksionimit të programit studimor katërvjeçar Bachelor, në sigurinë publike, i dizajnuar në pajtueshmëri me sistemin e Bolonjës për arsimin e lartë”, tha Zeka.

Edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, ka përgëzuar Akademinë për një arritje kaq të rëndësishme, siç është hapja e Fakulteti të Sigurisë Publike.

“Hapja e këtij Fakulteti është bërë me qëllim të avancimit të punës profesionale në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Hapja e këtij fakulteti është një etapë e re me qëllim të avancimit profesional, i cili do të ndikojë në mënyrë pozitive në punën e pjesëtarëve të sigurisë publike”, u shpreh Maxhuni.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Akademisë së Kosovës për Siguri Publike, Ismail Smakiqi e quajti moment historik hapjen e Fakultetit të Sigurisë Publike.

Para studentëve të vitit të parë akademik 2014/2015, foli edhe dekani i Fakultetit të Sigurisë Publike, Nazmi Iballi, i cili tha se “programi studimor i akredituar përmban në vete traditën e vlerave civilizuese evropiane në fushën e sigurisë”.

Ndërsa Gazeta Jeta në Kosovë, me 15 shtator të këtij viti, pati raportuar se Nazmi Iballi, i cili është asamblist i Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Shtimes është zgjedhur dekan në Fakultetin e Sigurisë Publike në Vushtrri, edhe pse nuk ka thirrje akademike.