I Vërtetohet Dënimi Bajrush Xhemajlit

Lajmin e ka konfirmuar Zyra për Informim e Gjykatës së Apelit.

“Një kolegj penal i Departamentit të Krimeve të Rënda i Gjykatës së Apelit, ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 13.03.2014, ndaj të pandehurit B. Xhemajli, sipas të cilit ky i fundit ishte dënuar me dy vjet burgim si fajtor për veprën panele rrezikim i trafikut publik ”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Me këtë rast janë refuzuar si të pabazuara ankesat e ushtruara nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbrojtja dhe pala e dëmtuar.

“ Gjykata e Apelit vlerëson se pretendimet e prokurorit dhe të dëmtuarave për një dënim më të ashpër dhe ato të mbrojtësit të pandehurit për dënim më të butë nuk qëndrojnë”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij njoftimi, Gjykata e Apelit konstaton se matja e dënimit të shqiptuar ndaj të pandehurit nga gjykata e shkallës së parë, është bërë në pajtim me rregullat e përgjithshme për matje të dënimit

“ Dënimi i shqiptuar duke pasur parasysh shkallën e përgjegjësisë penale, pasojat e veprës penale- vdekjen e një personi dhe lëndimin e disa tjerëve-  është në përpjesëtim me rrezikshmërinë shoqërore të veprës se kryer”, thuhet në njoftim.