Presidentja Përfundon Takimin me PDK-në, Nis Atë me LDK-në

Në takimin e parë, në Zyrën e Presidentes kanë hyrë kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi me nënkryetarët Kadri Veseli e Hajredin Kuçi.

“Ftesës së Presidentes ne iu përgjigjëm pozitivisht, në mënyrë që te kemi nivel konstruktiv për zgjidhjen e krizës politike”, tha Hajredin Kuçi pas këtij takimi.

Ai tha se beson që “të gjitha palët do t’i respektojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”.

“Unë mendoj se zgjidhja është kornizuar në kuptimin e legjitimitetit demokratik të zgjedhjeve të 8 qershorit, edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi.

Aktualisht në takim me Presidenten janë Isa Mustafa, Vjosa Osmani dhe Ismet Beqiri.

Në raundin e parë të takimeve, Isa Mustafa ka qenë i shoqëruar nga tre liderët tjerë të bllokut politik paszgjedhor, Albin Kurti, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj, ndërsa kësaj radhe duket se ka ndryshuar mënyra e përfaqësimit të partive në takimet konsultative.

Seanca e Kuvendit do të vazhdojë të enjten më 2 tetor për herë të tretë, ndërsa partitë janë ende larg për ta gjetur një zgjidhje për postin e Kryetarit të Kuvendit.