Mbi 3 Mijë Studentë Pritet të Pranohen në Afatin e Dytë në UP

3192 studentë parashihet të pranohen në këtë afat, 1854 prej të cilave studentë të rregullt dhe 1338 me korrespondencë.

Sipas Adem Behës, këshilltarit të rektorit Ramadan Zejnullahu, konkursi do të qëndrojë i hapur deri me 7 tetor, ditën në të cilën pritet të fillojë edhe viti i ri akademik 2014/2015.

Afati i dytë për pranimin e studentëve ishte shtyrë deri me 26 shtator, pasi disa studentë protestues nuk kishin lejuar disa herë mbledhjen e Senatit për të vendosur lidhur me datën e hapjes së konkursit.

Si pasojë ai ishte shtyrë deri më tash, duke ndikuar po ashtu edhe në shtyrjen e fillimit të vitit akademik.

Sipas Adem Behës, këtë vit nuk parashihet të pranohen edhe familjarë të invalidëve, veteranëve e të dëshmorëve, në bazë të memorandumit që kishte ekzistuar më herët ndërmjet UP-së dhe shoqatave të dala nga lufta.

Ky memorandum ua mundësonte familjarëve të kësaj kategorie që të pranohen në Universitetin e Prishtinës edhe nëse ata dështojnë në provimin pranues.

Ai ka thënë se lehtësira do të kenë vetëm familjarët e dëshmorëve, ku do të kenë bonus pesë pikë në provimin pranues.

“Do të ketë lehtësira me pesë pikë bonus për familjarët e dëshmorëve si për gruan e fëmijët”, ka thënë Beha.

Sipas tij, është e pamundur të pranohen 600 studentë nga kjo kategori, pasi bëhet fjalë për një numër të madh të studentëve.