ShBA-të Godasin Xhihadistët, Al- Qaeda Kërcënon Koalicionin

Zëdhënësi i grupit, Abu Firas al- Suri tha në një video të postuar të shtunën se shtetet e përfshira kanë “kryer një akt të tmerrshëm i cili do t’i vendosë ato në listën e caqeve xhihadiste në mbarë botën”.

Paralajmërimi erdhi pasi që koalicioni i drejtuar nga ShBA-të zgjeroi sulmet ajrore kundër Shtetit Islamik në Siri, ndërsa aeroplanët luftarakë britanikë fluturuan në misionin e tyre të parë anti- xhihadist mbi Irakun fqinj.

Uashingtoni është mbështetur në fushatën e vet në Siri edhe nga aleatët arabë si Bahrejni, Jordania, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Shtatë caqe janë goditur në Siri, tha Pentagoni, përfshirë edhe një në kufirin me Turqinë në qytetin e rrethuar kurd të Ain al-Arab, të njohur si Kobane.

Muhsin al- Fadhli, një operativ i njohur i Al- Qaedas dhe lider i supozuar i Khorasan, është vrarë gjatë këtyre sulmeve, sipas një xhihadisti i cili luftoi me grupin.