Rektori Paralajmëron Konkurs Për Programin e Paakredituar

Ende pa e marrë zyrtarisht detyrën e re, rektori Zejnullahu praralajmëron se do të shpallet konkurs i kushtëzuar për pranimin e studentëve të rinj në matematikë, ndonëse ky program nuk është i akredituar.

Këtë veprim e ka mbështetur në besimin e tij të fortë që Agjencia e Akreditimit të Kosovës do ta akreditojë këtë program.

 “Ne kemi paraparë që në konkursin që do ta shpallim tash parashohim edhe regjistrimin  e studentëve në matematikë. Kemi parapa të shpallim një konkurs të kushtëzuar me fillim të regjistrimit, pas akreditimit”, ka thënë Zejnullahu.

 “Guximi jonë që ta bëjmë atë ka qenë i natyrës së njohjes se thellë të vetvetes që në aspektin e kapaciteteve ne qëndrojmë më mirë se departamente të tjera në universitet”, ka shtuar ai më tej.

Ferdie Zhushi, kryetare e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës thotë se është e pabesueshme se si rektori Zejnullahun pretendon që punën ta fillojë me shkelje ligji.

 “Asnjë të drejtë ligjore rektori i ri nuk e ka që të pranojë studentë në programin e matematikës. Ne nuk e kemi akredituar atë program, prandaj hapja e konkursit për një program të paakredituar është shkelje ligjore”, i ka thënë Zhushi gazetës Jeta në Kosovë.

Lidhur me besimin e fuqishëm të Zejnullahut se do të akreditohet programi në nëntor, Zhushi ka thënë se rektori nuk mund të paragjykojë për këtë.

 “Nëse do të akreditohet programi i matematikës, atëherë rektori duhet të presë të shpallë konkurs pas akreditimit, e jo para tij, pasi kjo është plotësisht e pavlefshme”, ka shtuar Zhushi më tej.

Si duket rektori Zejnullahu përveç vendimit të AAK-së nuk do ta marrë parasysh as rekomandimin e Ministrisë së Arsimit e cila ka kërkuar nga rektori të pezullojë mundësinë e shpalljes së konkursit për pranimin e studentëve të rinj në programin e matematikës.

Ky program nuk është akredituar për vitin akademik 2014/2015 nga Agjencia e Akreditimi të Kosovës. Kjo pasi Departamenti i Matematikës kishte aplikuar me vonesë për akreditim.

Maturantët që dëshironin të studionin në këtë departament protestuan gjatë verës, pasi nuk mund të studionin matematikën për shkak të mosakreditimit. 

Rektori ia ndërron edhe datën e fillimit vitit akademik

Në konferencën e parë të mbajtur para gazetarëve të martën, rektori Zejnullahu ka paralajmëruar gjithashtu se viti akademik nuk do të fillojë si zakonisht me 1 tetor, por  më 6 tetor.

Këtë veprim ai thotë se e ka bërë pasi 1 tetori ka qëlluar ditë e mërkurë, e që kjo ditë sipas rektorit është “nga fundi i javës”.

Rektori Zejnullahu ka folur edhe për prioritetet dhe planet që e ka ndër mend t’i realizojë gjatë kohës sa do të jetë rektor.

Ka premtuar kufizim të angazhimit të personelit jashtë UP-së, ndonëse ai vetë gjatë kohës sa ka punuar në FShMN ka qenë i angazhuar edhe në Universitetin e Prizrenit .

Në emisioni Jeta në Kosovë të mbajtur me 11 shtator kishte mohuar që ka ligjëruar në ndonjë universitet tjetër, përpos atij të Prishtinës dhe Prizrenit. E kishte pranuar që ka punuar në Kolegjin “Dukagjini” vetëm pasi ishte pyetur për këtë nga moderatorja Jeta Xharra.

 “Njëri ndër prioritet është kufizimi i angazhimit të personelit jashtë UP-së. Këtu nuk duhet të keqkuptojë askush, sepse ne nuk kemi mundësi të ndalim punësimin komplet, por do të përpiqemi që në bashkëpunim me dekanët të kufizojmë angazhimin e stafit jashtë UP-së”, ka thënë Zejnullahu.

Ndërsa i pyetur për protestat e studentëve të cilët po kërkojnë largimin e tij, ai ka thënë se nuk do të lejojë që studentët të shpërdorohen për interesa të dikujt tjetër.

 “Unë duhet t’i garantoj ata që në pozicionin e rektorit sa të jem do të kenë një ambient tjetër me ligjërata cilësore. Por nuk do të lejoj që të krijohen ambiente të tilla që studentët të shpërdorohen për interesa të dikujt tjetër”, ka thënë Zejnullahu.

 “Parlamenti i Studentëve” që nga zgjedhja e rektori Ramadan Zejnullahu ka protestuar vazhdimisht për shkarkimin e tij.

Sipas tyre rektori është zgjedhur jashtëligjshëm nga vota e baxhanakut të tij, i cili ka qenë anëtar i Këshillit Drejtues si dhe e akuzojnë atë për një punim të publikuar në një revistë false.