Qerimi: Ndërkombëtarëve u Kam Treguar për Grupin e Besnik Hasanit

“Ndërkombëtarëve u kam dhënë informata mbi grupin e Besnik Hasanit e Bejtullah Mehmetit për korrupsion dhe krim te organizuar”, tha Qerimi.

Ai shtoi se një ditë pas shpërthimit në mënyrë verbale i ka treguar njërit prej të huajve përgjegjës për sigurinë në Kosovë se në shpërthimin te “Sekiraqa” ishte e përfshirë Njësia Speciale “ROSU”.

14:19

Prokurorja i Quan Grup Kriminal të Akuzuarit për Shpërthimin

Kur avokati Haxhi Millaku e pyeti dëshmitarin për gradat e klientit të tij Luan Qerkinit, ndërhyri prokurorja, duke i quajtur të akuzuarit e shpërthimit grup kriminal.

“Për mua ky është grup kriminal dhe këtu nuk vlejnë gradat”, tha prokurorja.

Por dëshmitari e vlerësoi të mençur veprimin e Luan Qerkinit që nuk mori përgjegjësi për bombën që shpërtheu te “Sekiraqa” në vitin 2007.

“Sipas mendimit tim Luani ishte i mençur kur vetë qëndroi te veturat në parking, e ne na çoj te bomba”, tha Qerimi.

Përgatitjet për përgatitjen e bombës deri te shpërthimi në lokalin me pronar Enver Sekiraqën, Qerimi i shpjegoi kur dëshmoi më 3 shtator. 

14:03

Qerimi: Nuk u Gjetën Substanca Narkotike në Shtëpinë Time

Dëshmitari në rastin e shpërthimit te “Sekiraqa” mohoi se në shtëpinë e tij janë gjetur narkotikë.

“Nuk e di se gjatë ndonjë bastisje te familja ime të jenë gjetur substanca narkotike”, tha Qerimi, duke iu përgjigjur për këtë çështje avokatit Haxhi Millaku.

Millaku është duke mbrojtur të akuzuarin Luan Qerkini.

Megjithatë dëshmitari e pranoi se në vitin 2004 është suspenduar nga puna.

13:47

Dëshmitari: Nuk Mora Para Nga Enver Sekiraqa

Shpend Qerimi tregoi se ishte takuar me Enver Sekiraqën në vitin 2006, por nuk kishte marrë para nga ai.

Qerimi i tha këto fjalë duke iu përgjigjur pyetjes së Hilmi Zhitisë, avokatit të Bejtullah Mehmetit, njërit nga të akuzuarit për shpërthimin te “Sekiraqa”.

Zhitia e pyeti dëshmitarin nëse atij i kishte dhënë para Enver Sekiraqa.

“Në një takim Enver Sekiraqa i ka lënë 50 euro në tavolinë, por unë nuk i kam marrë dhe për këtë u kam treguar ndërkombëtarëve”, tha Shpend Qerimi.

Ai shtoi se është takuar me Sekiraqën, pasi Sekiraqa u rrah nga pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Ferizajt në vitin 2006.

Për rrahjen e Sekiraqës nga policët, Qerimi tregoi më hollësisht gjatë dëshmisë më 3 shtator, kur tha se ia mundësoi të rrahurit shkuarjen në spital.

12:07

Edhe pse është dëshmitar i prokurorisë, Qerimi tha se nuk ka përfituar asgjë nga tregimi për shpërthimin te “Sekiraqa”.

Ai tha se nuk kam bërë kërkesë për zbutje te dënimit dhe se as prokurorja nuk me ka premtuar një gjë të tillë.

“Jam dënuar me 25 vjet burgim për një krim që e kam bërë me kolegët dhe s’kam pasur as imunitet e as privilegje”, tha Qerimi.

Ai tregoi se me të dënuarin tjetër me dënim të njëjtë Besnik Hasabnajn është takuar nëpër burgje gjatë aktiviteteve sportive.

10:37

Shpend Qerimi që po dëshmon në gjykimin për rastin e shpërthimit të vitit 2007 te lokali “Sekiraqa” tha se nuk ishte informator i KFOR-it dhe UNMIK-ut, por shkëmbente informacione me zyrtarë të pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Qerimi ishte polic hetues në Stacionin e Policisë së Ferizajt, kur kishte ndodhur shpërthimi te “Sekiraqa”, ndërsa kur po vazhdonte dëshminë më 3 shtator tha se bashkëpunonte me KFOR-in amerikan dhe UNMIK-un për çështje të sigurisë.

Ai të martën tha se nuk ishte informator as i misionit të NATO-s dhe as i atij të OKB-së në Kosovë.

“Unë isha shkëmbyes i informacioneve. Nuk kam pasë as nofkë as kod. Raportet i kam dërgu pa emër”, tha Qerimi, duke iu përgjigjur pyetjes së avokatit Hilmi Zhitia se a ishte informator i KFOR-it dhe UNMIK-ut.

Zhitia në këtë proces mbron Bejtullah Mehmetin.

Qerimi për shkëmbimet e informacioneve me UNMIK-un, u arsyetua me fjalët se atëherë Shërbimi Policor i Kosovës nuk kishte sektor të inteligjencës, ndërsa kompetent për inteligjencën policore ishte UNMIK-u.

Qerimi tregoi se kur ka informuar UNMIK-un nuk ka përmendur emrat e atyre që kryen shpërthimin.

Nuk i kam përmendur emrat, sepse ishte rrezik.Nuk isha sot këtu t’u dëshmu, po isha dikund që dikush do të sillte ndonjë kurorë”, tha Qerimi.

10:01

Sot në 9:40 ka filluar seancë e re e shqyrtimit të rastit për shpërthimin në lokalin “Sekiraqa”.

Për këtë shpërthim akuzohen një grup policësh të njësive speciale, të cilët dyshohet ta kenë bërë këtë në hakmarrje pas vrasjes së kolegut të tyre Triumf Riza në shatorin e vitit 2007.

Në fillim të kësaj seance prokurori u ankua se dikush nga familja e të akuzuarit Fadil Sadiku kishte kërkuar nga familja e dëshmitarit të prokurorisë, Shpend Qerimit që ky të mos e përmend shumë Fadil Sadikun gjatë gjykimit.

Në këtë u përgjigj avokati i Sadikut, Skender Musa, i cili tha se paraqitja e prokurorit është abstrakte.

“Nuk na tregoi kohën kur ka ndodhë, kush është personi dhe çfarë i ka thënë”,  tha Musa.

Gjykimi është duke vazhduar me marrjen në pyetje të Shpend Qerimit nga ana e mbrojtjes.