Ramush Haradinaj Kritikon Flora Brovinën dhe Enver Hasanin

Të parën e ka ftuar që ta thërrasë sa më shpejt vazhdimin e seancës, ndërsa të dytit i ka thënë se asnjë vendim i gjykatës nuk mund ta obligojë atë si deputet se cilin kandidat për kryetar të Kuvendit ta votojë.

“Vota ime është e lirë dhe nuk më detyron ta votoj kandidatin e PDK-së as edhe një gjykatë e kryesuar nga Enver Hasani. Edhe deputetët tjerë që kanë vullnetin e tyre të lirë nuk mund t’i obligojë as edhe një gjykatë e kryesuar nga Enver Hasani se si të votojnë”, tha Haradinaj pas takimit të sotëm me liderët e bllokut LDK-AAK-NISMA dhe “Vetëvendosjes”.

Haradinaj, i cili është kandidat për kryeministër të Kosovës nga ky bllok, mezi po pret konstituimin e Kuvendit, për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë.

“Jemi të shqetësuar për mënyrën se si është ndërprerë seanca. Në fakt, Flora Brovina ka ikur nga seanca pa marrë asnjë mendim të deputetëve për mënyrën e vazhdimit”, tha ai.

Sipas Haradinajt, kryesuesja e seancës nuk u ka dhënë mundësinë deputetëve që të bëjnë debat në seancë për ta gjetur zgjidhjen që do ta nxirrte Kuvendin dhe institucionet tjera nga bllokada.

Seanca e Kuvendit u ndërpre javën e kaluar sapo PDK-ja dështoi t’i mbledhë votat e mjaftueshme për kandidaturën e vetë për kryetar të Kuvendit, Arsim Bajramin.

Në seancën që zgjati vetëm pak minuta, Bajrami mori besimin e 44 deputetëve, ndërkohë që 61 votuan kundër dhe 11 të tjerë abstenuan.

“Vazhdimi i seancës ka mundur të thirret këtë javë. Pra i bëjmë thirrje zonjës Brovina që ta shfrytëzojë të drejtën e vet si deputetja më e vjetër, ashtu si i ka takuar që ta thërrasë seancën”, u shpreh Haradinaj.

Sipas kreut të AAK-së, deputetja Brovina është duke humbur kohë.

“Humbja e kohës në këtë mënyrë dhe abuzimi nga ana e zonjës Brovina dhe zaptimi i institucioneve të vendit duhet ta ketë një kufi. Koalicioni LDK-AAK-NISMA bashkë me ‘Vetëvendosjen’ këtë kufi do t’ia japin një ditë, por është detyrë e saj dhe e PDK-së që të mos abuzojnë më tutje me të drejtën që kanë”, tha Ramush Haradinaj.

“Presim që seanca të thirret këtë javë. Nëse jo, ne do të veprojmë me kërkesë për thirrje të seancës”, u shpreh ai.

Sipas Haradinajt, liderët partiakë më nuk kanë ndonjë punë në zgjidhjen e bllokadës institucionale pasi që, sipas tij, pika 127 e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, detyrën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit ua ngarkon vetëm deputetëve.

“Deputetët mund ta gjejnë zgjidhjen vetëm në Kuvend, ndryshe nuk kanë mundësi”, tha ai.

“Pika 127 nuk u drejtohet më grupeve parlamentare, koalicioneve apo liderëve. Nuk kanë rol liderët në atë rast, por kanë rol vetëm deputetët. Pra zgjidhja mund të bëhet vetëm në parlament dhe vetëm në seancë, prandaj ne bëjmë thirrje që të thirret seanca”, u shpreh Ramush Haradinaj.

I pyetur nëse presidentja Jahjaga mund të ndihmojë në këtë çështje, Haradinaj neutralizoi rolin e saj duke thënë se “ajo mund ta luajë rolin e vet ndihmues ose lehtësues”.