Problem me Dëshmitarët te Rasti Limaj

Dëshmitari i ardhur nga Gjermania sapo ka hyrë në gjykatë. Ai pritet të dëshmojë në vazhdim.

Dëshmitarja Ganimete Zogaj, e paraparë të paraqitet sot në gjykatore është e sëmurë, ndërsa një dëshmitar tjetër që duhej t’u përgjigjej pyetjeve për rastin “Kleçka”, tashmë ka vdekur.

10:24

Avokati i Limajt Ankohet për Hapësirë

Ka nisur seanca e shqyrtimit të rastit “Kleçka” në Gjykatën e Apelit. Avokati i Fatmir Limajt po ankohet për mungesë hapësire.

“Salla është e papërshtatshme”, tha Karim Khan.

10:14

Limaj për “Kleçkën”-Hera e Tretë në Gjykatë

Të mërkurën ish-komandant “Çeliku” dhe kreu i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj, bashkë me ish-luftëtarë tjerë të UÇK-së do të dalë në Gjykatën e Apelit për rastin “Kleçka”. Limaj për këtë proces është liruar dy herë nga gjykatat, ndërsa ish-prokurori Salustro qe ankuar në Apel vitin e kaluar.

Gjykata e Apelit e ka paraparë ditën e sotme, si njërën nga ditët kur do të shqyrtojë rastin “Kleçka”.

Fatmir Limaj bashkë me nëntë ish-bashkëluftëtarët e tij duhet të paraqitet sot në gjykatë, pasi Apelit i duhen sqarime shtesë për rastin.

Rasti “Kleçka” shkoi në Apel, pasi ish-prokurori i EULEX-it Salustro-hartuesi i aktakuzës kundër Limajt dhe të tjerëve u ankua atje ndaj vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës që dhjetë të akuzuarit për krime lufte të kryera në Kleçkë, t’i lirojë.

Vendimin gjykata e mori më 17 shtator 2013, ndërsa po në shtator Salustro u ankua në Gjykatën e Apelit.

Limaj dhe të tjerët u liruan nga akuzat e lidhura me rastin “Kleçka” edhe në vitin 2012.