Daily Mail: Rrezik Për Atentat Nga ISIS Ndaj Papa Françeskut Gjatë Vizitave ne Shqipëri dhe Turqi

Habeeb Al Sadr lëshoi të martën një paralajmërim të zymtë pasi Vatikani insistoi se nuk ka kërcënim për sigurinë e Papës, shkruan gazeta britanike “Daily Mail”.

Al Sadr, ambasador i Irakut në Selinë e Shenjtë, pranoi se nuk është në dijeni për “fakte specifike” apo “projekte operacionale” por tha: “Vetëm bëjini dy dhe dy bashkë… Ata dëshirojnë ta vrasin Papën”.

Ambasadori tha se përhapja e ekstremistëve në mbarë botën nënkupton se Papa Françesku është i rrezikuar kudo- në vendet muslimane, në Britani, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës madje edhe në Romë.

“Kërcënimet kundër Papës janë të besueshme. Deklaratat publike dhe krimet kundër të krishterëve nga ISIS janë fakt. Vetëm bëjini bashkë dy dhe dy”, tha ai për gazetën italiane “La Nazione”.

“Më lejoni të jem i qartë. Nuk jam në dijeni për fakte specifike apo projekte operacionale. Por ajo çfarë është thënë nga i vetë-shpalluri “Shteti Islamik” është e qartë. Ata duan ta vrasin Papën”, tha ambasadori.

“Mendoj se ata do të përpiqen ta godasin atë gjatë udhëtimeve, madje edhe në Romë, sepse pjesëtarët e ISIS nuk janë vetëm arabë por edhe kanadezë, amerikanë, francezë, britanikë dhe italianë”, u shpreh ai.

Por Vatikani insistoi se forcat e sigurisë janë “të qeta” sa i përket vizitës së të dielës në Shqipëri.

Zëdhënësi Federico Lombardi tha se Papa do t’i përshëndesë turmat nga i njëjti automobil i hapur të cilin ai e përdor në sheshin e Shën Pjetrit.

Kjo përbën një ndryshim të vërejtshëm me largimin e xhamit anti-plumb i cili përdorej që nga tentimi i atentatit ndaj Papa Gjon Palit në vitin 1981.

Përderisa paraardhësi i tij, Benedikti XVI dilte prapa xhamit, Papa nga Argjentina largoi automjetin e mbyllur në muajin qershor duke thënë se ai e mbante larg nga besimtarët, raporton “Daily Mail”.

Lombardi tha se zyrtarët janë të shqetësuar për ISIS, por shtoi: “Nuk ka kërcënime specifike ose rreziqe që do të mund ta ndryshonin sjelljen e Papës ose mënyrën se si është organizuar udhëtimi”.