Zenun Pajaziti Flet për Planet e PDK-së në Seancën e 18 Shtatorit

Paraziti mendon se posti i kryetarit të Kuvendit i takon partisë së tij, si subjekti më i votuar në zgjedhjet e 8 qershorit, pavarësisht mungesës së vullnetit të partive tjera për ta mbështetur kandidaturën e hedhur nga PDK-ja.

Partia të cilën e përfaqëson Pajaziti ka kandiduar Arsim Bajramin për postin e kryeparlamentarit, ndërsa blloku tjetër i përbërë nga LDK, Vetëvendosje, AAK dhe NISMA janë përcaktuar që ta votojnë Isa Mustafën.

“Unë mendoj se do të kërkojmë të gjithë hapësirën legale për zgjedhje e kryetarit të Kuvendit i cili i takon PDK-së. Nëse kjo gjë pengohet pafundësisht mendoj se do të hyjmë në një rreth pa dalje ku me siguri pritet involvimi i institucioneve tjera”, tha Pajaziti.

Por ai nuk specifikoi se nga cilat institucione pret ndërhyrje.

Pajaziti u bëri thirrje subjekteve politike që sa më shpejtë të bëjnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

“PDK-ja vazhdon të jetë këmbëngulëse në zbatimin e kushtetutës së vendit dhe i ftojmë të gjitha subjektet politike që sa më shpejt të jetë e mundur të përgatiten që seanca e ardhshme të jetë seancë e konstituimit të  organeve të kuvendit e pastaj të hapet rrugë për formimin e institucioneve tjera të reja”, pohoi Pajaziti duke shtuar se PDK mbetet e bindur se kushtetuta i ka definuar te gjitha paqartësitë për formimin e legjislacionit.

PDK-ja mbetet e bindur se kushtetuta i ka definuar të gjitha paqartësitë dhe deputetët dhe partitë politike duhet të tregojnë vullnet më të mirë politikë në mënyrë që Kuvendi të filloj të funksionojë sa më shpejtë.

Pajaziti tha se nuk është në interes të përsëriten zgjedhjet por sipas tij edhe nëse kjo ndodh PDK nuk ka frikë.

“Nuk është në interesin e askujt që të përsëriten zgjedhjet. Ne e kemi pasur një fitore bindëse dhe kemi treguar gatishmëri që të bisedojmë me subjekte tjera. Nëse kjo nuk do të ndodh, nëse imponohet ky proces deri në zgjedhje ne nuk kemi pse të frikohemi por duhet të përgatitemi për një situatë të tillë”, theksoi Pajaziti.

E i pyetur nëse i kanë siguruar votat nga Lista Serbe, Pajaziti tha se numri i votave është banalizuar.

“Mendoj që puna e numrave është banalizuar në skajshmëri.  Puna e prezencës sonë në Kuvend nuk është vetëm numës. Mendoj se në seancë duhet të shihen subjektet politike dhe deputetët me vullnetin e tyre. Mendoj se numrat shihen vetëm në seancën plenare”, deklaroi Pajaziti.

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit do të mbahet me 18 shtator. Kjo seancë ishte paraparë të mbahej me 12 shtator por me kërkesën e Listës Serbe, kryesuesja Flora Brovina nga PDK kishte shtyrë seancë për një javë.