Rusia Po Synon Ta Shkatërrojë Ukrainën

Kievi dhe mbështetësit e tij ndërkombëtarë akuzojnë Moskën se ka dërguar trupa dhe tanke në Ukrainën Lindore në mbështetje të forcave separatiste pro-ruse që po luftojnë kundër forcaave ukrainase në një konflikt që ka marrë më shumë se 3 mijë jetë njerëzish deri më tani. Rusia i mohon këto akuza.

“Ne jemi ende në një fazë të luftës dhe agresori kryesor ëshët Federata Ruse… Putin dëshiron një konflikt tjetër të ngrirë (në lindje të Ukrainës)”, tha kryeministri i Ukrainës, Arseny Yatseniuk në një konferencë në të cilën kanë marrë pjesë parlamentarë ukrainas dhe evropianë dhe liderë të biznesit.

Yatseniuk tha se Putin-i nuk do të jetë i kënaqur vetëm me Krimenë e aneksuar nga Moska në muajin mars dhe me rajonet rusishtfolëse në lindje.

“Qëllimi i tij është ta marrë krejt Ukrainën… Rusia është kërcënim ndaj rregullit global dhe sigurisë së mbarë Evropës”, tha Yatseniuk i cili njihet për retorikë agresive.

Duke folur për anëtarësimin në NATO, Yatseniuk tha se e kupton që aleanca nuk është e gatshme ta pranojë Ukrainën, por shtoi se “NATO-ja në këto rrethana speciale është mjeti i vetëm për ta mbrojtur Ukrainën”.