Shitësi i Pushkës Dënohet me Kusht
Ai u dënua me kusht sepse në gusht të vitit 2009 i kishte shitur një pushkë “M-48” Mehmet Mehmetit.
Akuza nga Departamenti i Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore të Prishtinës e ngarkonte atë me veprën penale të furnizimit, transportit, këmbimit ose shitjes së paautorizuar të armëve.
Në gjykatë Arsim Rama e pranoi fajësinë.
“E pranojë fajësinë, mirëpo ajo pushkë nuk ka punuar dhe unë Mehmetit ia kam shitë, që ta mban për zbukurim si send antik”, tha ai.
Rama i premtoi gjykatës se kurrë më në të ardhmen nuk do të bëjë kurrfarë vepre penale dhe u lut për një dënim sa më të butë.
Prokuroria u pajtua me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, meqë siç u tha në gjykim një pranim i tillë është në përputhje me provat që përmban aktakuza.
Mehmet Mehmetin gjykata e kishte liruar nga akuza për armëmbajtje pa leje, për arsye se kjo vepër penale ishte përfshirë në Ligjin për Amnisti.
I dënuari do të paguaj edhe 30 euro për shpenzime të procedurës.