Masë e Lehtë Ndaj Kadri Kryeziut

Analisti për çështje kushtetuese, Xhavit Shala, vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të përjashtuar anëtarin e vet, Kadri Kryeziu nga trajtimi i rasteve të mëdha që kanë të bëjnë me institucionet kryesore të vendit, e sheh si masë të lehtë. Por thotë shkarkimi eventual i tij nga detyra do ta bllokonte këtë institucion, pasi që Gjykata për momentin ka vetëm tetë gjyqtarë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, të martën përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka marrë vendim për ta larguar anëtarin e vet, Kadri Kryeziu, nga trajtimi i rasteve të mëdha që kanë të bëjnë me institucionet e vendit.

Kësisoj, atij i është marrë e drejta për të qenë i pranishëm në rastet kur kolegët tjerë të tij kanë në dorë rastet ku si palë paraqiten Presidenti i Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Qeveria e Kosovës, Avokati i Popullit dhe komunat.

Arsye për këtë vendim u bë një fotografi në të cilën Kryeziu shihet duke marrë pjesë në një tubim parazgjedhor të PDK-së në Prizren.

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Xhavit Shala, tha për KALLXO.com se kjo masë është shumë e lehtë, por sipas tij, shkarkimi i Kryeziut do të mund të bllokonte Gjykatën Kushtetuese, pasi që siç tha ai, tani kjo gjykatë ka vetëm tetë anëtarë.

“E shoh si masë të lehtë sepse Gjykata Kushtetuese mund të propozojë me dy të tretat e gjyqtarëve për shkarkim të gjyqtarit. Pastaj i takon Presidentes që të marrë masa për të liruar nga detyra apo për ta lënë në detyrë”, tha Shala.

Por, sipas tij, shkarkimi i Kryeziut mund ta bllokonte Gjykatën Kushtetuese, pasi që Kuvendi i Kosovës i cili është kompetent për zgjedhjen e gjyqtarëve aktualisht është jo funksional.

“Gjykata Kushtetuese ka marrë një masë të tillë të lehtë për shkak të mungesës së një gjyqtari. Sikur të ish larguar edhe z. Kryeziu, atëherë Kushtetuesja do të mbetej vetëm me shtatë gjyqtarë”, tha ai.

“Së pari është një masë e cila është ndëshkues ndaj kolegut, por edhe masë  cila e lejon funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha Xhavit Shala.

Gjykata Kushtetuese, të enjten do t’i shqyrtojë argumentet e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të partive të koalicionit pas zgjedhor LDK-AAK-NISMA lidhur me ligjshmërinë e zgjedhjes së Isa Mustafës kryetar të Kuvendit të Kosovës, në seancën plenare të 17 korrikut.