Agim Bahtiri e Sjell Këshilltarin në Prokurim të Komunës

Ai sot në drejtorinë e prokurimit edhe zyrtarisht e ka sjellë Besnik Bekën i cili e zëvendëson në këtë pozitë Gani Mustafën.

Besnik Beka, para ardhjes në këtë post ka shërbyer si këshilltar në kabinetin e kryetarit të Mitrovicës.

Edhe Bahtiri dhe Beka janë nga fshati Gushavc i Mitrovicës.

Por zëdhënësi i komunës së Mitrovicës, Hysni Syla, tha për KALLXO.com se ndërrimi ka ndodhur me kërkesën e ish drejtorit.

“Me kërkesën e ish drejtorit Mustafa ka ndodhë edhe ndërrimi, pasi që ai ka kërkuar nga kryetari Bahtiri ta lirojë nga detyra. Ky i fundit e ka respektuar vendimin e Mustafës, prandaj duke e shfrytëzuar te drejtën e tij me ligj e ka emëruar një drejtor tjetër”, tha Syla.

I larguari Gani Mustafa është emëruar kryetar i komisionit komunal  për Stacionin e Autobusëve në Mitrovicë.

Mustafa tha se arsyet për largim nga drejtoria e prokurimit në komunë dhe marrja e pozitës në Stacionin e Autobusëve janë personale dhe profesionale.

“Janë arsye personale dhe të ngritjes në karrierë ato që më kanë shtyrë të largohem nga pozita ime në komunë”, tha Mustafa për KALLXO.com.