Velija Përdori Makineritë e Pasaportave për Kredi

Tre dëshmitarë me dijeni për transaksionet financiare të Natali Veliajt dhe Fisnik Blakajt, dëshmuan në seancën e së mërkurës të rastit të pasaportave. Njëri prej tyre tregoi se Natali Velija kishte ofruar si kolateral (siguri të pagesës së kredisë) për marrjen e një huaje edhe makinat për prodhimin e pasaportave biometrike.

Të mërkurën në gjykimin kundër Natali Veliajt dhe të tjerëve në rastin e pasaportave dëshmoi mes tjerëve edhe Driton Fetahu, zëvendësdrejtor  i “Crimson Finance Fond “, institucionit financiar jobankar në të cilën kompania e Natali Veliajt “Consulting Eu” kishte aplikuar për hua.

Dëshmitari tregoi se për marrjen e kësaj huaje kishte garantuar me “Mercedesin” e tij Fisnik Blakaj, ndërsa Natali Velija si kolateral (siguri të pagesës së kredisë) kishte ofruar edhe makineritë e prodhimit të pasaportave biometrike.

Kur e tha këtë dëshmitari, prokurori Andrew Hughes e pyeti atë nëse institucioni jobankar dinte se makineritë janë pronë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e jo marrëses së kredisë.

“Nuk kisha si ta dija. Në bazë të dokumenteve doganore shihej emri i Natali Veliajt”, u përgjigj Fetahu.

Makineritë kishin ardhur nga Austria, pasi firma austriake OeSD fitoi tenderin për prodhimin e pasaportave biometrike, ndërsa duhej të ishin në emër të një shtetasi kosovar për të hyrë në Kosovë. Kur dëshmoi në këtë rast Bajram Rexhepi tha se pasaportat vazhdojnë të prodhohen me po ato makineri.

Fetahu zbuloi edhe se Velija nuk e kishte mbushur si duhet aplikacionin për kërkimin e huasë, pasi ishte plotësuar vetëm faqja e parë nga 6 faqet që kishte ai.

Këtë e arsyetoi me faktin se “në kohën kur Natalia kishte aplikuar për hua , në kompani kemi pasur mungesë të stafit që do t’i udhëzonte palët se si duhej mbushur aplikacioni për kredi”.

Dëshminë të mërkurën e dha edhe Ekrem Sadiku, kontabilisti i kompanisë “Qeramika”, të drejtuar nga tash i akuzuari Ergyn Dogan, kompani që dyshohet se ka pranuar 200 mijë euro nga firma e Veliajt.

Sadiku tregoi se në detyrat e tij të punës përfshiheshin faturimi dhe regjistrimi i hyrje-daljeve, këshillimi lidhur me taksat si dhe regjistrimi i tyre në një softwear.

Pyetjes së prokurorit se në pasqyrat financiare të kompanisë a pasqyroheshin 200 mijë euro të pranuara  nga “Consulting Eu” dëshmitari iu përgjigj “ po pasqyrohen si të hyra të shtyra (të realizuara me vonesë)”.

Por ai tregoi se nuk kishte parë dokument të shkruar për transferet dy herë nga 100 mijë euro të këtyre parave.

Sadiku u mor në pyetje edhe Skender Musa, mbrojtësi i Ergyn Doganit. Musa e pyeti dëshmitarin nëse kompania “Qeramika” ka pasur qarkullim.

Kësaj pyetje kontabilisti iu përgjigj pozitivisht. “Po ka pasur qarkullim dhe kompania ka importuar edhe nga shtete jashtë Kosovës”, tha Sadiku.

Të mërkurën dëshmoi edhe personi që në shkresat e lëndës kishte emrin Elmi Beqiri, ndërsa është udhëheqës i Shërbimit të Qirasë në Ndërmarrjen Publike Banesore.

Ai në fillim protestoi për ndryshimin e emrit të tij duke thënë se quhej Ilmi Beqiri.

Më pas tregoi se me të Fisnik Blakajn, njërin nga të akuzuarit e këtij procesi kishte lidhur një kontratë për shfrytëzimin e një lokali të kësaj ndërmarrjeje.

Ai e konsideroi Blakajn qiraxhi kryesisht të mirë.

Blakaj i kishte paguar detyrimet e tij ndaj Ndërmarrjes Publike Banesore me përjashtim të disa qirave”, tha Beqiri.

Në këtë proces gjyqësor përveç Veliajt, Blakajt e Doganit akuzohen edhe Betim Blakaj, Imer Fazlija,  Nazmi Thaçi, Jakup Blakçori dhe Hashim e Sefedin Shala mes tjerash për veprat penale, krim të organizuar, shpëlarje parash e shmangie nga tatimi.

Seanca do të vazhdojë të enjten  datë 31 korrik 2014.