Tribunali i Ri Inicion Rastet e Para në Vitin 2015

“Presim që gjykata të jetë plotësisht funksionale në fillim të vitit tjetër. Në bankën e të akuzuarve do të gjenden disa ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,” deklaroi një diplomat i lartë i BE-së për BIRN.

Aktakuza do të ngritën për vrasjet, rrëmbimet dhe deportimin e serbëve të Kosovës të cilët ishin mbajtur në burg në shumë kampe të paraburgimit të UÇK-së në Kosovë gjatë luftës 1999 dhe të cilët pastaj ishin transferuar në Shqipëri, tha diplomati në kushte anonimiteti.

Lajmet rrodhën pasi Clint Williamson, hetuesi kryesor i Task Forcës për Hetime Speciale të mbështetur nga BE e cila po hetonte akuzat për trafikim organesh nga ushtarët e UÇK-së ka vizituar Prishtinën dhe Beogradin gjatë kësaj jave.

Williamson pritet ta paraqesë raportin e tij javën që vjen lidhur me pretendimet se ushtarët e UÇK-së kishin nxjerrë organet të burgosurve serbë dhe të tjerëve gjatë luftës – akuza këto që dolën nga raporti kontrovers i raportuesit të Këshillit të Evropës Dik Marti në vitin 2010.

Diplomati i BE-së tha për BIRN se task forca ka hasur në vështirësi që të ngritë akuzën ndaj ish zyrtarëve të lartë të UÇK-së që kishin përgjegjësi komanduese për krimet sepse guerrilla nuk kishin urdhëresa me shkrim siç kanë ushtritë e rregullta dhe nuk kishte dokumente për të dëshmuar krimet e kryera.

Mediat lokale spekulojnë se Thaci nuk do të akuzohet edhe pse kjo nuk u konfirmua në mënyrë të pavarur.

Shumica e aktakuzave të reja do të bazohen në materialet e hetimeve të mëhershme të kryera nga misioni i BE-së dhe OKB-së në Kosovë por edhe nga dëshmitë e viktimave dhe të afërmve të tyre.

Gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi, Williamson nuk shpalosi të gjeturat e tij para prezantimit të raportit të task forcës javën që vjen.

“Ambasadori Williamson tha se është i vetëdijshëm për spekulimet për të gjeturat e task forces, por ai theksoi se nuk nuk do të shpaloset asnjë informatë lidhur me të gjeturat e hetimeve deri në prezantimin e tyre, prandaj nuk duhet paragjykuar asnjë rezultat,” u tha në deklaratën e zyrës së tij të lëshuar të marten.

Në prill Kuvendi i Kosovës kishte miratuar themelimin e gjykatës së re speciale e cila do të hetojë akuzat e publikuara në raportin e Williamsonit.

Bashkimi Evropian tashmë ka kërkuar nga qeveria holandeze që ta ndihmojë task forcën në procedurën penale pasi të kompletohen hetimet në akuzat për trafikim organesh.

Edhe pse gjykata e re special do të jetë e vendosur në Holandë, prokurorët dhe gjyqtarët ndërkombtarë do të operojnë sipas ligjeve të Kosovës.