Ekuacioni me Shumë të Panjohura për Matematikanët e Ardhshëm

Agjencia e Akreditimit për këtë vit akademik nuk e ka akredituar programin e Matematikës i cili është në kuadër të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore dhe si rrjedhojë e kësaj nuk ka pasur konkurs për studentët e rinj.

Valdrin Sherifi, njëri nga maturantët organizator të kësaj proteste, tha se me këtë vendim po u mohohet e drejta shumë nxënësve të studiojnë drejtimin e dëshiruar. Ai bëri thirrje që paqartësitë mes FSHMN-së dhe Agjencisë së akreditimit të zgjidhen sa më shpejt.

“Ne nuk i dimë problemet e brendshme të tyre por ne kërkojmë zgjidhje. Ne po kërkojmë nga agjencia që ta akreditojë programin”, ka thënë Sherifi

Ai ka shtuar që ky vendim nuk është aspak logjik dhe se më këtë po dëmtohen nxënësit.

Në përkrahje të protestës së maturantëve kanë dalë edhe disa profesorë të Departamentit të Matematikes në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Profesori Muhi Lohaj thotë të jetë bërë dëm i madh për matematiken pas vendimit që të mos shpallet konkurs për provim pranues.

Sipas tij me këtë po dëmtohen profesorët si intelektualë të cilët e duan matematikën, ndërkohë që i bëri thirrje institucioneve ta zgjidhin problemin.

“Thërras të gjitha institucionet nga rektorati, MASHT dhe Agjencia e Akreditimit e Kosovës që të shpallin konkursin e  i ri shtesë për drejtimin e  matematikës që këtyre nxënësve t’u ofrohet mundësia për studimin e këtij drejtimi” thotë Lohaj.

Më 2 korrik, Agjencia e Akreditimi e Kosovës kishte dalë me rezultatet e procesit të akreditimit dhe riakreditimit të programeve studimore dhe institucioneve. Programi i matematikës kishte qenë i akredituar deri me 30 shtator 2014, ndërsa me vendimin e fundi ai nuk u akreditua për vitin akademik 2014/2015.

Pas ankesave nga nxënësit dhe nga Departamenti i Matematikës, kjo agjenci kishte dalë me një reagim duke ia vënë fajin Universitetit të Prishtinës pasi, sipas agjencisë, aplikacioni për akreditim kishte ardhur tek ata me vonesë.