Trupi Gjykues Vendos Nesër për Paraburgimin e Lushtakut

Pasdite në gjykimin e “Grupit Drenica” Ingo Risch që në këtë proces mbron Sami Lushtakun kërkoi nga gjykata që ta lirojë nga paraburgimi klientin e tij.

Prokurori Michalczuk kundërshtoi këtë pretendim të mbrojtjes, duke u arsyetuar me konstatimin e ekspertëve mjekësorë se gjendja e Lushtakut është e mirë.

Sipas gazetarit të KALLXO.com-it në gjykatë, trupi gjykues do ta shqyrtojë nesër ndërprerjen, ose vazhdimin e paraburgimit për kryetarin e Skenderajt.

Të martën dëshminë e përfundoi “Dëshmitari K”. Seanca vazhdon nesër.

14:52

Dëshmitarja Merret në Pyetje nga Avokatët

Pasi prokurori Michalczuk përfundoi pyetjet e tij, dëshmitarja po merret në pyetje nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve. Aktualisht asaj p i shtron pyetje Tomë Gashi që mbron Sylejman Selimin.

Mexhid Syla që në procesin gjyqësor kundër “Grupit Drenica” mbron Jahir Demakun kërkoi të dijë nga bashkëshortja e “Dëshmitarit A” se ku kishte ikur kjo familje gjatë ofensivës së shtatorit që forcat serbe e zhvilluan kundër guerilasve të UÇK-së në krahinën e Drenicës.

“Kemi shku në mal, bashkë me popullatën tjetër ku kanë ikë të gjithë. Forcat serbe gjatë asaj ofensive ma kanë vrarë një kunat”, tha ajo që njihet si “Dëshmitari K”.

Më pas Syla kërkoi të dijë nëse në vendin ku është strehuar dëshmitarja me familje, kanë ikur edhe familja e Jahir Demakut.

“Ndoshta kanë qenë, po unë nuk  i kam pa”, tha dëshmitarja.

Syla deshi të dijë edhe kohën kur “Dëshmitari A” është marrë nga persona me emblemën e UÇK-së dhe është kthyer në shtëpi.

Dëshmitarja tha se ishte muaji gusht, porse nuk i kujtohej data.

Pastaj dëshmitaren nisi ta marrë në pyetje Tahir Rrecaj që mbron Sahit Jasharin.

Derisa u përgjigjej pyetjeve të prokurorit paradite dëshmitarja tregoi se burri i saj ishte keqtrajtuar rëndë. Avokati Syla e pyeti atë nëse e dinte se sa herë në Likovc “Dëshmitarin A” e kishte rrahur Jahir Demaku.

Dëshmitarja tha se nuk e dinte sa herë ishte rrahur burri i saj, sa mbahej i ndaluar nga UÇK-ja, ngase” i kishte ardhur rëndë ta pyeste”.

Rrecaj e pyeti dëshmitaren se si ka ardhur “Dëshmitari A” në shtëpi.

“Në shumicën e kohës ka ardhë vetë dhe jo shumë larg shtëpisë është taku në kunatën dhe djalin të cilët janë nisur me e vizitu”, tha dëshmitarja.

Haxhi Millaku, avokati i Sabit Gecit e pyeti dëshmitaren se për sa kohë kishte dhënë deklaratën e saj në polici.

Dëshmitarja tha se këtë punë e kishte kryer për një orë, ndërsa Millaku kërkoi që gjykata ta vërtetojë se sa ka zgjatur saktësisht intervistomi i dëshmitares nga organet e rendit, pasi ai pretendonte se marrja në pyetje nuk ka zgjatur më shumë se 25, ose 26 minuta.

Avokati i Sylejman Selimit Tomë Gashi pyeti dëshmitaren se pse deklaratën për keqtrajtimin e bashkëshortit të tij e kishte dhënë vetëm më 23 mars 2013. Pse kishte pritur kaq gjatë për të treguar për atë që pretendohet se kishte ndodhur në Likovc.

“Për këtë duhet ta pyesni burrin tim”, u përgjigj shkurt dëshmitarja.

Tomë Gashi është duke vazhduar marrjen e saj në pyetje.

12:12

Dëshmitarja Tregon për Vuajtjet e Bashkëshortit

Në seancën e së martës të “Grupit Drenica”, po dëshmon përmes video-lidhjes bashkëshortja e “Dëshmitarit A” që në këtë proces është e koduar si “Dëshmitari K”. Ajo i tregoi prokurorit se si ia morën burrin pjesëtarë të UÇK-së dhe se si ai u kthye i rrahur nga qendra e ndalimit në Likovc.

Seanca e së martës në gjykimin e “Grupit Drenica” nisi me 50 minuta vonesë, pasi u vonua trupi gjykues.

Gruaja e “Dëshmitarit A” që u lajmërua përmes video-lidhjes siç u tha në gjykatore nga një vend i largët tregoi se si bashkëshorti i saj u mor nga njerëz të uniformuar dhe armatosur me shenjat e UÇK-së.

“Ka qenë gushti i vitit 1998 në orët e vona të pasdites. Kanë ardhur dy persona të armatosur dhe të uniformuar me shenja dhe kapela të UÇK-së në kokë. I kanë thënë se ka me e dhënë ni deklaratë dhe se ka me u kthy prapë në shtëpi”, tha ajo që njihet si “Dëshmitari K”.

Gjatë marrjes së “Dëshmitarit A” nga ushtarët, dëshmitarja deklaroi se përveç saj ishin të pranishëm edhe fëmijët e saj, kunati dhe kunata.

Prokurori Michalczuk e pyeti dëshmitaren se pas arrestimit a janë munduar të kontaktojnë me të dhe ta kuptojnë se ku ndodhet.

“Çdo ditë dikush nga familja ka shku, edhe unë personalisht. Ushtarët e UÇK-së në burgun e Likovcit na kanë ndaluar që ta vizitojmë me arsyetimin se ai nuk gjendet këtu”, shpjegoi dëshmitarja.

Sipas saj bashkëshorti nuk u kthye në shtëpi për një muaj, ndërsa ishte shumë i torturuar.

“Ka qenë gjendja e tij shumë e rëndë, me tesha me gjak, brinjë të thyera dhe i ajur në të gjithë trupin. Jam habitë se si në atë gjendje ka mundur me hec, e me ardhë në shtëpi”, tha dëshmitarja.

Pjesëtarë të “Grupit Drenica”, akuzohen mes tjerash se i detyruan të rrahen mes vete dëshmitarët A dhe B, ndërsa me një mjet të metaltë e kapën për organe gjenitale “Dëshmitarin A”, duke e tërhequr zvarrë nëpër dysheme.

Seanca pritet të zgjasë deri në orën 16:00, ndërsa pas prokurorit dëshmitarja do të merret në pyetje nga avokatët mbrojtës të të pandehurve.