Zjarrfikësit e Suharekës me Mjete të Stërvjetruara

Zjarrfikësit e kësaj komune kryejnë shërbime me teknikë të viteve 70-ta dhe punojnë në një objekt që nuk i plotëson as kushtet elementare.

“Shumë shpesh na ka ndodh kjo, që kemi mbetur gjatë rrugës, shumë defekte, automjetet tona mbesin me defekte gjatë shkuarjes në intervenim”, thotë Ali Bytyqi, i cili bën punën si shofer dhe shef i ndërrimit prej themelimit të njësisë së zjarrfikësve në Suharekë.

Sipas tij, çdo gjë është e vjetër në shërbimin e tyre: teknika, pompat, pajisjet personale dhe automjetet.

Bytyqi tregon se për shkak të vjetërsisë kamioni në raste të urgjencës nuk mund të niset menjëherë për të intervenuar.

“Duhet një kohë të gjatë me prit mu mbush ajër. Duhet me prit disa minuta. Automjeti i zjarrfikësve duhet për një minutë me startu. Këta disa minuta duhet me prit për me startu për me dalë në rrugë”, tha Bytyqi.

Vebih Krasniqi, shef i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Komunën e Suharekës thotë se teknikën e kanë marrë donacion.

“Është një teknikë e stërvjetruar. Mund të them që është një teknikë e viteve të 70-ta. Është një donacion që na ka ardhur prej shteteve të perëndimit. Teknika e cila është e stërvjetruar, për momentin e kryen funksionin e vet, por me vështirësi”, tha Krasniqi.

Edhe Nexhat Ramadani, drejtor i Shërbimeve Komunale në Suharekë, e di se gjendja e zjarrfikësve nuk është e kënaqshme, por thotë se nuk kanë pasur mundësi buxhetore të bëhet më shumë dhe sipas tij një gjë e tillë nuk do të bëhet së shpejti.

“Realisht për neve ka qenë gjithmonë shqetësim kjo, megjithatë komuna ka vështirësi sa i përket mjeteve, po unë si drejtor dhe ne si drejtori së paku për vitin 2016 kemi propozuar të ndajmë mjete për blerjen e së paku një automjeti të ri”, tha Ramadani.

Përveç mjeteve, edhe objekti i zjarrfikësve në Komunën e Suharekës është në gjendje të keqe.

Shefi i Shërbimit të Zjarrfikëseve thotë se nuk kanë zgjidhje tjetër.

“Po edhe objekti ku qëndrojmë, ku jemi të stacionuar për momentin nuk i plotëson kushtet të cilët janë të parapara për një shërbim të tillë“, thotë Krasniqi.

Siç duket shërbimi i zjarrfikësve edhe për një kohë të gjatë do të mbetet në këtë objekt, pasi Komuna e Suharekës, nuk ka në horizont ndonjë zgjidhje për këtë çështje.

“Ndërsa s ai përket objektit, kemi pak probleme edhe me hapësirë, për shkak se komuna  nuk ka një hapësi të përshtatshme, të cilin mund ta ndajë për të ndërtuar një lokacion të ri”, thotë Ramadani.

Për të qenë ironia edhe më e madhe shërbimi i zjarrfikësve suharekas përballet edhe me numrin e vogël të punëtorëve.

“Një ndër vështirësitë më të mëdha të cilat na paraqitet për realizimin e detyrave tona për çka jemi edhe të dedikuar është numri i vogël i punëtorëve”, thotë Krasniqi.

Shërbimi i Zjarrfikësve në Suhareke është themeluar si shoqatë në vitin 1975, ndërsa është funksionalizuar në vitin 1999, si shërbim i zjarrfikësve. Ky shërbim ka 7 kamionë dhe 16 punëtorë aktivë. Vitin e kaluar Shërbimi i Zjarrfikësve të Suharekës sipas shefit të tyre ka pasur mbi 150 intervenime.